English

Rusia Jep 50 Autoblinda Për Palestinezët

MOSKË, 20 korrik /ATSH-AFP/ - Rusia u dha palestinezëve 50 autoblinda për transportin e trupave në kuadrin e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për forcimin e institucioneve të Autoritetit palestinez, njoftoi sot Ministria e Jashtme ruse. "Rusia i dha palës palestineze 50 autoblinda BTR-70, pa kërkuar asgjë në këmbim", thekson ministria në një komunikatë. "Ceremonia zyrtare e transferimit të autoblindave u zhvillua më 19 korrik në Jordani ku autoblindat janë dërguar me rrugë detare. Specialistët rusë i kanë udhëzuar shoferët palestinezë si t'i drejtojnë këto automjete", vazhdoi i njëjti burim. Autoblindat do të qëndrojnë në Jordani deri sa Izraeli dhe palestinezët të bien dakord lidhur me modalitetet e transferimit të tyre në Cisjordani, shtoi diplomacia ruse. "Është e rëndësishme që kjo të bëhet menjëherë", këmbëngul ministria. Izraeli ka kundërshtuar më parë transferimin e autoblindave ruse tek Autoriteti palestinez. Rusia ka mbajtur marrëdhënie miqësore me palestinezët që prej epokës sovjetike. /I.Pu.
KOMENTE