English

Shqyrtohen Kandidaturat Për Anëtarë Të Bordit Të Institutit Të Studimeve Për Krimet E Komunizmit Në Shqipëri

TIRANË, 20 Korrik/ATSH/.- Komisioni i Ligjeve shqyrtoi sot kandidaturat e propozuara për anëtarë të bordit të Institutit të Studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri. Deputetja Arenca Trashani, relatore e shqyrtimit të kandidaturave për anëtarë të këtij instituti tha se anëtarët e bordit duhet të jenë personalitete të njohura nga komuniteti akademik dhe shoqëria civile, të cilët zotërojnë aftësi profesionale dhe kanë kontribut, si dhe krijojnë bindje se mund të mbështesin Institutin në realizimin e misionit e të detyrave të tij. Sipas relatores anëtarët e këtij bordi zgjidhen për pesë vjet, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë. Ndërkohë, që mandati i anëtarit të bordit është i papajtueshëm me funksionet e larta shtetërore, kushtetuese, politike, administrative si dhe me anëtarësinë në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në vijim, ajo tha se komisioni duhet të bëjë verifikimin e përputhshmërisë ligjore të këtyre kandidaturave për dy arsye ligjore lidhur me subjektet propozuese dhe plotësimin e kërkesave. Trashani shtoi se në adresën e Kuvendit të Shqipërisë ka ardhur një listë kërkesash nga shoqata, nga instituti i të Përndjekurve si dhe Konferenca e Rektorateve. Intituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i ngritur me një vendim të parlamenti shqiptar në shkurt të këtij viti, do të hedhë dritë mbi krimet dhe viktimat e periudhës së diktaturës komuniste. Gjithashtu, në mbledhjen e sotme të komisionit të Ligjeve deputetët miratuan Aktin Normativ të Qeverisë "Për disa ndryshime në ligjin "Për prokurimin publik", i cili qartëson përfundimisht kompetencat funksionale të operatorëve administrativë në fushën e prokurimit publik. /a.s/
KOMENTE