English

Thaçi: Krijimi I Shtetit Të Kosovës Ka Sjellë Stabilitet Dhe Mundësi Të Reja Për Ballkanin Perëndimor

PRISHTINË, 20 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Krijimi i shtetit të Kosovës ka sjellë stabilitet dhe mundësi të reja për Ballkanin Perendimor, tha sot kryeministri Hashim Thaçi në një fjalim në Institutin Amerikan për Paqe, duke folur në temën "Ndërtimi i së Ardhmës Euro-Atlantike për Kosovën: Mundësitë dhe Sfidat". Ai vlerësoi se,"Kosova ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë, Malin e Zi, dhe natyrisht me Shqipërinë". "Një nga fqinjët tanë, Serbia, nuk e pranon realitetin e Kosovës së pavarur dhe punon për ta minuar atë", tha Thaçi duke shtuar se "përpjekjet e tyre do të dështojnë". Sipas tij, " Kosova së shpejti pritet të përballët me një sprove të madhe kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë me 22 korrik opinionin e shumëpritur për shpalljen e pavarësisë së Kosovës". "Unë jam shumë optimist se opinioni i GJND duhet të jetë në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj", theksoi ai, duke shtuar se, " nuk besoj se ndonjë gjykatë kudo, e aq më tëpër GJND, do mund të dal kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë në vendin e tyre". Në këtë drejtim kreu i qeverisë , Hashim Thaçi tha se, " partenerët tanë ndërkombëtarë në BE dhe në Uashington DC, mendojnë se opinioni i GJND-së mund të sjell një moment të ri, të cilin Prishtina dhe Beogradi duhet ta shfrytëzojnë për të filluar një dialog teknik që do shënonte fillimin e një faze të re në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. "Unë si kryeministër, jam shumë i përgjegjshëm dhe ju siguroj se Qeveria e Kosovës gjithnjë është e gatshme për t'u angazhuar në një dialog konstruktiv, në mënyrë të barabartë, me cilindo shtet tjetër, përfshirë dhe Serbinë", tha ai. Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme që bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu janë çështje kyçe për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe kusht për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO. /f.n/
KOMENTE