English

Universiteti Politeknik, Qendër E Industrisë Shqiptare Të Software-It

-Nënshkruhet me GTZ-në, Memorandumi për promovimin e industrisë shqiptare të Software-it TIRANË, 20 Korrik/ATSH-Erla Gjikolli/- Universiteti Politeknik i Tiranës synon të kthehet në një qendër të industrisë shqiptare të software-it, pasi aty po ngrihet i pari Software Cluster shqiptar (partneritet) me mbështetjen gjermane, Programin për Zhvillim Ekonomik dhe Nxitjen e Punësimit (EDEP) në GTZ. Qëllimi kryesor i Cluster-it është promovimi i bashkëpunimit ndërmjet aktorëve kryesorë të industrisë shiptare të software-it, sektorit privat, sektorit publik dhe insitucioneve akademike/universiteteve. Zhvillimi i Cluster-it, një bashkëpunim shqiptaro-gjerman, u formalizua sot me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit midis Agjencisë Gjermane për bashkëpunim Teknik (GTZ), përfaqësuar nga Drejtuesi i Programit, Erik Ruh dhe Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit të UPT-së, përfaqësuar nga rektori Jorgaq Kaçani. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt dhe ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo. Ky është një zhvillim tjetër në kuadrin e Forumit trepalësh të themeluar nga Qeveria që përfshin institucionet publike, sektorin privat dhe insitucionet akademike/universitetet. Kryetari i Forumit, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, tha se "sot, me nisjen e Software Cluster hedhim një hap tjetër drejt synimit tonë për të shëndrruar Shqipërinë në vend prodhues të software-ve, në një qendër rajonale të krijimit të tyre dhe në një vend eskportues të programeve të tilla kompjuterike. Forumi trepalësh me Qeverinë, biznesin dhe universitetet po funksionon në partneritet të plotë për të realizuar Shqipërinë Digjitale". Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt, vlerësoi se "industria e IT-së dhe sidomos software-i, ka një rëndësi strategjike për ekonominë shqiptare, sepse software-i është një teknologji ndërsektoriale me impakt të madh në industritë e tjera përsa i përket produktivitetit, efikasitetit dhe konkurueshmërisë. Industria e software-it është një industri strategjike dhe një motorr i rritjes, inovacionit dhe konkurrueshmërisë". Universiteti Politeknik i Tiranës ka rol kryesor në sigurimin dhe edukimin e burimeve njerëzore të ardhshme për firmat shqiptare të software-it dhe në programet mësimore, të cilat përcaktojnë cilësinë, kapacitetin si dhe konkurrueshmërinë e industrisë së IT-së. Rektori Kaçani tha se "Universitetet sigurojnë shpërndarjen e teknologjive më të fundit dhe përfaqësojnë një burim të rëndësishëm inovacioni, prandaj Universiteti Politeknik është anëtar aktiv i Cluster-it Shqiptar të Software-it dhe siguron mbështetjen për infrastrukturën teknike dhe fizike të Cluster-it". GTZ, ndër sektorët e ndryshëm, mbështet edhe zhvillimin e Industrisë Shqiptare të Software-it, nëpërmjet promovimit të Cluster-it Shqiptar të Software-it, ngritjes së kapaciteteve dhe trajnimeve, zhvillimit të tregut të brendshëm dhe promovimit të eksporteve në industrinë e Teknologjisë së Informacionit dhe e Komunikimit (ICT). Në qendër të promovimit të industrisë shqiptare të software-it, qëndron Cluster-i Shqiptar i Software-it, i themeluar zyrtarisht në 16 Korrik 2010. Bashkëpunimi midis GTZ dhe UPT synon zhvillimin e mëtejshëm të industrisë shqiptare të software-it nëpërmjet shkëmbimit dhe promovimit të programeve akademike midis dy vendeve në industrinë e ICT-së, trajnimin dhe kualifikimin e burimeve njerëzore në industrinë e IT-së, zhvillimin dhe zbatimin e shërbimeve inovative të ofruara nga Cluster-i Shqiptar i Software-it. Sipas Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ), përfaqësuar nga Drejtuesi i Programit Erik Ruh, kompanitë shqiptare të software-it kanë mundësi të konsiderueshme jo vetëm në tregun vendas, por edhe në atë ndërkombëtar, pasi Shqipëria ka avantazhe konkurruese në industrinë e IT-së. Kjo industri luan një rol të rëndësishëm në krijimin e mundësisve për punësim për të rinjtë dhe për njerëzit e kualifikuar, duke ndihmuar në këtë mënyrë reduktimin e fenomenit të "largimit të trurit". Qeveria Shqiptare duke njohur rëndësinë e industrisë së software-it e ka përcaktuar atë si një "industri strategjike", duke e reflektuar dhe në Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e Shoqërisë së Informacionit. Universiteti Politeknik i Tiranës, i themeluar në 1957, me gjashtë fakultete ku studiojnë më shumë se 9821 studentë, ka bashkëpunime intensive me universitetet më të mira homologe në Gjermani. EDEP që zbatohet nga Agjencia Gjermane për bashkëpunim Teknik (GTZ) është parashikuar deri në fund të 2012 me tre faza. Përvec industrisë së software, EDEP mbështet edhe industri të tjera si turizmin, idustrinë e veshjeve, si dhe institucionet e zhvillimit ekonomik, shoqatat dhe Dhomat e Tregëtisë dhe Industrisë në tre rajonet ku është present Tiranë-Durrës, Shkodër dhe Korçë./n.m/
KOMENTE