English

Heshtja nuk është diplomaci e qetë

Nëse Ashton qëndron në këtë rol gjatë mandatit të plotë pesëvjeçar, atëherë ajo duhet të heqë dorë nga heshtja e diplomacisë të qetë dhe të fillojë të bëjë zhurmë

Nga George Lyon*

Thuhet se diplomacia e qetë ndihmoi për ta fituar Luftën e Ftohtë. Me anë të manovrimit të butë në prapaskenë, diplomatët ishin në gjendje ta shtynin Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara nga pragu i konfliktit bërthamor, në ulje të tensionit, e në fund - në paqe. Ky sukses krijoi modelin që është ndjekur nga të tjerë. Por, në botën e Pasluftës së Ftohtë, ku suksesi matet jo vetëm nga rezultati, por edhe nga procesi, a mundet diplomacia e qetë ende t’i shërbejë të mirës së përbashkët? Në muajin dhjetor, Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme në BE, tha: "Besoj se shumëçka mund të arrihet me diplomaci të qetë". Për fat të keq, Lady Ashton duket se gabimisht e konsideron diplomacinë e qetë si heshtje shurdhuese. Gjatë shtatë muajve në punë ajo është përballur me krizën humanitare në Haiti, bujën ndërkombëtare pas sulmit të Izraelit ndaj anijeve në rrugën e tyre drejt Gazës, dhe së fundi, me derdhjen e paparë të naftës në Gjirin e Meksikës. Në të gjitha këto situata nuk e kemi dëgjuar asnjë zë, e lere më ndonjë rënkim, nga personi i ngarkuar që ta përfaqësojë BE-në në skenën botërore. Kjo i ka bërë shumë eurodeputetë që të pyeten pse kanë votuar për kandidaturën e Ashton në janar. Ashton është kritikuar shumë për shkak se nuk e ka vizituar Haitin pas tërmetit shkatërrimtar. Kjo ishte prova e parë e saj e vërtetë në punë dhe duke mos treguar solidaritet me haitianët, u krijua përshtypja se ajo, rrjedhimisht edhe BE’ja, ishte e shkëputur nga fatkeqësia. Unë jam i sigurt se Ashton i ka bashkërenduar dërgesat e ndihmës humanitare dhe ka biseduar në telefon me Ministrat e Jashtëm, por a nuk është kjo diçka që duhet të bëhet nga diplomatët në ekipin e saj? Si Ministre e Jashtme e BE’së, a s’duhet që puna e saj të shihet nga njerëzit? Edhe Nixon përshëndetej herë pas here nga Brezhnevi në pistën e Moskës. Thënë të drejtën, Ashton u takua me të gjithë 27 Ministrat e Jashtëm të BE’së pas sulmit ndaj anijeve që po bartnin ndihmë humanitare në Gazë, ku u vranë nëntë njerëz. Por, krejt e dinë se Ashton nuk është aktore kur është fjala për konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës. Kur të gjithë i përcjellin veprimet e Tony Blair, përfaqësuesit të kuartetit, ndërsa një fjalë e Sekretares së Shtetit Hillary Clinton mund ta ndryshojë edhe drejtimin e erës, sa ka hapësirë për një anëtare të re në diplomacinë rreth Lindjes së Mesme? Përpjekjet për ta bllokuar shpërthimin vullkanik të naftës nga thellësitë e oqeanit në Gjirin e Meksikës, kanë çuar në thirrje për pezullim të shpimeve për nxjerrje të naftës në Europë, përfshirë edhe Gunther Oettinger, Komisionari Europian për Energji, që ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve në Detin e Veriut. Ndërkohë që kjo thirrje i shpërfillë standardet e larta të sigurisë, të cilat tashmë ekzistojnë në Europë, veçanërisht në Britani të Madhe pas hetimit të rastit Piper Alpha dhe “Raportit Cullen”, ngjarjet përtej Atlantikut na bëjnë të përqendrohemi në mënyrën e nxjerrjes së sigurt të naftës nga puset gjithnjë e më sfiduese. Në debatin për këtë çështje, Përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jashtme sërish ka munguar. Puna e Ashton mund të jetë bërë më të lehtë tash me krijimin e Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm. Por, edhe përpjekjet për të krijuar një bazë më të sigurt e cila do të shërbente si pikënisje janë dëmtuar nga grindjet e vogla. Shpresoj që Shërbimi Europian për Veprim të Jashtëm mund të bëjë ndryshim. Derisa ka shumë çështje të politikës së jashtme ku meritat e diplomacisë së qetë ende mund të shihen, përfshirë edhe përpjekjet për t’i ndalur ambiciet bërthamore të Iranit, në epokën e Pasluftës së Ftohtë ne presim që liderët tanë të dalin në qendër të vëmendjes dhe të shprehin dhembshurinë, indinjatën apo rezervat tona kolektive. Nëse Ashton do të qëndrojë në këtë pozitë gjatë mandatit të plotë pesëvjeçar, atëherë ajo duhet të heqë dorë.

(*) “The Guardian”

KOMENTE