English

Përmbledhje - Demonstrim Solidariteti Nga Clinton Dhe Gates Në Kufirin Mes Koreve

PANMUNJOM (Kore e Jugut), 21 korrik /ATSH-AFP/ - Hillary Clinton dhe Robert Gates, krerët e diplomacisë dhe mbrojtjes amerikane, përdorën simboliken dhe konkreten sot për të manifestuar solidaritetin e Uashingtonit me Seulin, veçanërisht me një kalim që ra në sy në kufirin ndërkorean. Imazhi i ditës do të mbetet ai i dy ministrave kryesorë të presidentit Barack Obama në Panmunjon, përkrah homologëve koreanojugorë dhe disa hapa larg një ushtari koreanoverior. Duke vizituar një sallë mbledhjesh ku kalonte vija e demarakcionit ndërkorean, dy zyrtarët e vendosën këmbën për disa çaste në anën koreanoveriore të sallës, nën shikimin kurioz të ushtarit roje pas xhamit. Panmunjon ndodhet rreth 50 kilometra në veri të Seulit në një rrip të çmilitarizuar prej 4 kilometrash të gjerë dhe nga ana tjetër e vijës së demarkacionit ndërkorean. Katër muaj pas mbytjes së një anijeje lufte koreanojugore për të cilën u fajësua Koreja e Veriut, episodi synon të japë një reliev të veçantë të përkujtimit të 60-vjetorit të luftës mes Koreve (1950-53) nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut. Në një komunikatë të përbashkët të publikuar më vonë, dy aleatët e paralajmëruan regjimin e Phenianit se çdo akt agresioni nga ana e tij do të ketë "pasoja serioze" dhe i kërkuan përsëri regjimit komunist ta pranojë bombardimin e anijes koreanojugore të luftës Cheonan. Seuli dhe Uashingtoni e akuzojnë Korenë e Veriut, e cila e përgënjeshtron me forcë, se ka goditur më 26 mars anijen koreanojugore të luftës pranë vijës së demarkacionit detar ndërkorean, duke shkaktuar vdekjen e 46 marinarëve koreanojugorë. Pheniani e ka mohuar me forcë çdo përfshirje duke kërcënuar me një "luftë të plotë" në rast sanksionesh të reja të OKB-së. Zyrtarët e lartë amerikanë dhe koreanojugorë theksuan në deklaratat e përbashkëta se "provokime ushtarake të papërgjegjshme do të kërcënojnë stabilitetin e rajonit". Disa javë pas një deklarate të OKB-së që nuk u shoqërua me sanksione të reja kundër Koresë së Veriut, Hillary Clinton njoftoi gjithashtu reprezalje të reja amerikane kundër Phenianit. Ndër to, disa masa kundër blerjes dhe shitjes së armëve, por edhe të produkteve të luksit. Këto të fundit synojnë drejtpërdrejt udhëheqjen e regjimit, shtoi më tej një zyrtar amerikan. Departamenti i Shtetit dhe ai i Thesarit do të ngrijnë gjithashtu pasuritë e entiteteve të tjera dhe të individëve dhe do të bëjnë përpjekje të tjera për të penguar shoqëri koreanoveriore që zhvillojnë veprimtari të paligjshme të veprojnë jashtë vendit dhe të përdorin shërbime bankare. Fakti që shumica e këtyre entiteteve dhe individëve nuk kanë llogari bankare në Shtetet e Bashkuara ka pak rëndësi, shpjegoi një diplomat amerikan. Bankat e tyre nuk do të tregojnë më pak kujdes përballë rrezikut lidhur me reputacionin e tyre, shpjegoi ai. Uashingtoni dhe Seuli kanë njoftuar dje se manovra ushtarake të përbashkëta detare në shkallë të gjerë do të fillojnë të dielën në Detin e Japonisë. Sipas një komunikate të ushtrisë amerikane, në to do të mobilizohen deri më 28 korrik 8 000 amerikanë dhe koreanojugorë, rreth 20 anije dhe nëndetëse, ndër të cilat aeroplanmbajtësja bërthamore amerikane F-22. Kina, aleat i Phenianit ka shprehur kundërshtimin për këto lojëra luftërash që zhvillohen në afërsi të territorit të saj. Sot, Ministria e Jashtme kineze ka bërë të ditur shqetësimin e saj. /I.Pu.
KOMENTE