English

Kriza - Spanjë - Fillon Sërish Emigracioni Drejt Shba-Së Dhe Evropës

MADRID, 22 korrik /ATSH-ANSA/ - Me krizën që prej dy vjetësh po e godet rëndë Spanjën, është përforcuar edhe fluksi i emigrantëve nga vendi iberik kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, shkruan sot e përditshmja El Mundo. Vjet, sipas gazetës, 102 432 spanjollë u larguan nga vendi "në kërkim të një jete më të mirë". Spanja, tradicionalisht një vend emigrimi për më shumë se një shekull, në recesion prej dy vjetësh, ka sot një ushtri prej rreth 5 milionë të papunësh, 19 për qind të popullsisë aktive. Amerika është destinacioni më i preferuar i emigrantëve "të rinj" spanjollë. Në fakt më shumë se 50 për qind e emigrantëve kalojnë Atlantikun në kërkim të një pune. Kontinenti i dytë është Evropa, para Azisë. "Pilotët spanjollë kërkojnë punë si kamerierë në Dublin, të tjerë ndërtojë pallate në Algjeri, profesorë japin spanjishten në Slloveni ose Kroaci", shkruan më tej El Mundo. Për shumë të papunë spanjollë - vazhdon gazeta - "emigracioni është sot e vetmja zgjidhje". /e.v/
KOMENTE