English

Kuvend/ Sot Axhendë E Ngjeshur Pune

TIRANË, 22 Korrik/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë mban sot seancën e parafundit plenare të sesionit të dytë të legjislaturës së XVIII-të, e cila parashikon një axhendë të ngjeshur punimesh me 20 pika, pasi pritet të shqyrtohen shumë projektligje, mes tyre dhe ato që duan votim të cilësuar, që janë mbartur nga legjislatura e kaluar, pasi opozita nuk ka dhënë konsensus. Ndër draftet që u janë paraqitur sot deputetëve për diskutim dhe që pritet të shkaktojnë debate janë disa ndryshime në ligjin "Për arsimin e lartë", disa shtesa ne ligjin "Per kthimin dhe kompensimin e prones", p/ligje "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për Shërbimin Informativ të Shtetit" etj. Krahas projektligjeve të mësipërme, sot parashikohen të shqyrtohen edhe ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, si p/ligji "Për gjykatat administrative" dhe një numur ndryshimesh në disa kode, si në Kodin Penal, Kodin Civil, Kodin Rrugor, Kodin Hekurudhor, Kodin Doganor, Kodin Ajror, Kodin Detar. Sot janë parashikuar të votohen në Kuvend anëtarët e Bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri dhe votime të tjera për zgjedhjen e anëtarëve të KKRT-së. Axhenda parlamentare pritet të mbyllet me një interpelancë të zv/kryministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, kërkuar nga deputeti i PS-së, Ditmir Bushati. /a.s//n.m/
KOMENTE