English

Maqedoni: Vazhdon kriza politike, në prag të takimit të MSA-së

Shkup, 22 Korrik, NOA – Në Maqedoni po vazhdon kriza politike, pasi që forcat më të mëdha politike nuk kanë arritur marrëveshjen përfundimtare për zhbllokimin e dialogut politik.

Kriza politike po rrezikon që Bashkimi Evropian të shprehë vlerësime dhe raport negativ për Maqedoninë sa i përket përmbushjes së kritereve të kërkuara nga Brukseli.

Takimi i Këshillit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) i paraparë midis Maqedonisë dhe BE-së më 27 korrik pritet të dalë me mesazhe negative për procesin euro-integrues të vendit.

Takimet e Këshillit të MSA-ë mbahet çdo vit, dhe kanë për qëllim shqyrtimin e procesit integrues të vendeve aspirante në BE.

Pas marrëveshjes së fundit për formimin e komisionit anketues për zbardhjen e incidentit të 1 korrikut në Parlament si dhe marrëveshjen për rregulloren parlamentare, dy partitë më të mëdha politike VMRO-DPMNE në pushtet dhe LSDM-ja opozitare nuk janë marrë vesh lidhur me propozimin mbi kontrollin e buxhetit.

Socialdemokratët opozitar kanë kërkuar që të formohet një komision i posaçëm parlamentar, i cili do të kontrollojë dhe do ti bëjë revizion buxhetit shtetëror dhe harxhimeve të Qeverisë. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka propozuar formimin e një nënkomiteti në kuadër të komisionit parlamentar për financa, i cili do të përkujdeset për revizionin e buxhetit të shtetit.

Me këtë propozim nuk është pajtuar opozita, e cila ka bllokuar sërish negociatat për zhbllokimin e dialogut politik.

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski ka thirr për sot një takim tjetër të radhës për të tentuar për të tejkaluar mosmarrëveshjet midis partive parlamentare.

Partitë politike shqiptare nuk janë aktive në këtë proces të marrëveshjes midis dy forcave më të mëdha politike maqedonase.

Maxhoranca ka planifikuar që deri të premten të miratojë pikat e marrëveshjes së arritur me opozitën, një parakusht i caktuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

NOA-INA

KOMENTE