English

Prokuroria Çon Në Gjyq Grupin Prej 9 Personash Që Dyshohet Për Trafik Narkotikësh

TIRANË, 22 Korrik/ ATSH/ . - Gjykata e Krimeve të Rënda do të nisë së shpejti procesin gjyqësor ndaj një grupi prej 9 personash, që dyshohet për trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur se, kanë përfunduar hetimet në ngarkim të shtetasve: Fatbardh Kapllanaj, Marenglen Halka, Pilo Zanaj, Daniel Likaj, Artur Demaj, Arben Paluka, Bledar Xhufi, Sandër Likaj, Stefan Zoto, të akuzuar për "Trafik narkotikësh" në bashkëpunim. Ndërkohë që çështja penale ndaj tyre iu përcoll për shqyrtim gjyqësor Gjykatës së Krimeve të Rënda. Të pandehurit e dosjes u arrestuan para disa muajsh në kuadër të operacionit të koduar "Lindja e Diellit" që u shtri në disa shtete, Shqipëri, Itali e Greqi. Ata dyshohet se janë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali në vitet 2005-2006. Të pandehurit dyshohet se janë përgjegjës në transportimin me mjete lundruese nga Shqipëria në Itali të disa ngarkesave me lëndë narkotike, prej te cilave edhe trafikimin e një sasie prej 351 kg drogë, e bllokuar në janar të 2006 në një qytet të Italisë. Hetimet ndaj këtij grupi nisën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në fund të vitit 2009, pasi Policia Italiane solli çështjen me materialet hetimore ndaj tyre në Shqipëri. /a.m//a.ke/
KOMENTE