English

Rama:Vendimi I Gjnd-Së, Garanci Për Bashkëjetesën E Rajonit

TIRANË, 22 Korrik/ATSH/.- Partia Socialiste (PS) përshëndeti sot vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që i hap rrugën njohjes së mëtejshme e të plotë të shtetit të ri të Kosovës. Në një deklaratë për mediat kryetari i PS-së, Edi Rama tha se "ne të gjithë kemi qenë të bindur se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Por, vendimi i sotëm i Gjykatës Ndërkombëtare e sanksionon këtë bindje si një pikë referimi për të gjithë, në raport me Kosovën shtet të pavarur". "Kur flasim për Kosovën e për rrugën euroatlantike të kombit tonë ne shqiptarët e Shqipërisë nuk jemi të ndarë në qeveri e opozitë. Por, kjo nuk përbën asnjë pengesë, që në emër të opozitës shqiptare, unë të shpreh kënaqësinë e madhe për drejtësinë e dhënë sot nga Gjykata Ndërkombëtare e të uroj popullin e Kosovës, si dhe udhëheqësit e tij për këtë vendim historik", tha Rama në deklaratën e tij para mediave. Me këtë rast ai uroi që "ky vendim të ndihmojë Serbinë e udhëheqësit e saj për të dalë nga qerthulli i ëndrrave me ndarje territoriale, të cilat ky vendim i zhbëri tërësisht. E ardhmja e këtij rajoni është Bashkimi Europian dhe në rrugën e kësaj të ardhmeje bashkëjetesa, sot pas këtij vendimi, është edhe më e garantuar se dje. Secili në kufijtë e tij, të gjithë së bashku drejt bashkëjetesës e bashkëpunimit pa kufij". /a.s/
KOMENTE