Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Gërdeci , Rrëzohet Kërkesa E Të Pandehurve Deliorgji Dhe Pinari Për Lirimin Nga Paraburgimi
English

"Gërdeci", Rrëzohet Kërkesa E Të Pandehurve Deliorgji Dhe Pinari Për Lirimin Nga Paraburgimi

TIRANË, 23 Korrik/ATSH/- Dy të pandehurit e çështjes "Gërdeci", Mihal Deliorgji dhe Ylli Pinari do të vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar në paraburgimin e Tiranës. Gjykata e Tiranës rrëzoi të premten si të pabazë kërkesën e dy të pandehurve që kishin kërkuar të liroheshin nga qelia me pretendimin se iu kishin mbaruar afatet e paraburgimit. Gjatë shpalljes së vendimit, kreu i trupit gjykues të çështjes "Gërdeci", Ridvan Hado theksoi se, ndaj dy të pandehurve të sipërcituar nuk kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Kërkesa për lirimin nga paraburgimi e dy të pandehurve, Deliorgji dhe Pinari, u depozitua në Gjykatën e Tiranës, ne një seancë më parë nga përfaqësuesit e mbrojtjes ligjore të tyre. Ndërkohë që kërkesa e tyre hasi në kundërshtimin e prokurorisë, e cila kërkoi refuzimin e saj nga Gjykata. Mihal Deliorgji, administrator i ish-fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gerdec dhe Ylli Pinari, ish- drejtor i kompanisë shtetërore MEICO në Ministrinë e Mbrojtjes, janë dy nga katër personat e arrestuar për çështjen "Gërdeci", ndërsa të pandehurit e tjerë hetohen në liri nga prokuroria. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Çështja "Gërdeci" konsiderohet më e madhja në historinë gjyqësore në këto vitet e fundit, me gjithsej 29 të pandehur që dyshohen si përgjegjës të saj, si dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës./a.m/ch/
KOMENTE