English

Lufta brenda llojit

Ose Ligji i vitit 2007 nuk ka qenë plotësisht me Bolonjën që nuk i qëndroi kohës, ose është viktimë e konkurrencës dhe luftës brenda llojit në PD, ose kanë ndryshuar interesat

Nga Valentina Leskaj

Duke shprehur mendimin e Grupit parlamentar të PS më lejoni të them që në fillim se ne nuk do ta e votojmë këtë projekt ligj jo për hir të një vendimi që kemi marrë për të mos votuar për sa kohë që këtij parlamenti ti kthehet transparenca, po për problemet që ai ka dhe bëhet fjalë për një projekt ligj që përbën interes të gjerë publik.

Këto probleme, së pari kanë të bëjnë me vet procesin e hartimit të ligjit një proces i mbyllur e aspak transparent.

Arsyeja e dytë dhe themelore e qëndrimit tonë lidhet me vet përmbajtjen e ligjit i cili ngushton më tej autonominë e Institucioneve te Arsimit të lartë.

Riformatimi i cikleve të studimit që përbën dhe pjesën më të rëndësishme të projektit krijon probleme sidomos me mungesën e fleksibilitetit dhe diplomat e deri tanishme.

Së katërti, ky ligj ka nene preferenciale që krijojnë kushte për klientelizëm dhe korrupsion. Ka nene që u mungon vetëm emri i përfituesit.

Po këto nuk janë të vetmet probleme.

Ndryshimet e shpeshta që ka pësuar ligji për arsimin e lartë, mungesa e qëndrueshmërisë së reformave është një arsye tjetër e qenësishme. E keni ndryshuar katër herë gjatë qeverisjes tuaj.

Duke e filluar nga kjo e fundit dua të kujtoj se ky projekt vjen në më pak se 2 vjet e gjysmë, pasi ju miratuat një ligj për arsimin e lartë të cilin e quajtët një reformë të madhe.

Un nuk e di sa e madhe mund të jetë një reformë që nuk reziston dot as dy vjet po dua të sjell në vëmendje atë që Kryeministri Berisha na tha këtu në vitin 2007:

Ligji përshtatet plotësisht me Bolonjën.

Nuk e di në se edhe sot Kryeministri mendon kështu?

Po nëse ligji i vitit 2007, përshtatet plotësisht me Bolonjën atëherë çfarë ka ndryshuar në dy vjet?

Ka rënë Bolonja apo ka rënë ligji juaj, sepse projekti që keni sjellë ndryshon jo pak po në 37 nene të ligjit të miratuar dy vjet më parë.

Bolonja nuk ka ndryshuar.

Edhe Kryeministri që bëri këtë deklaratë është po i njëjti.

Madje dhe ministri i sotëm, është këshilltari i djeshëm i Kryeministrit për arsimin.

Atëherë ose Ligji i vitit 2007 nuk ka qenë plotësisht me Bolonjën që nuk i qëndroi kohës, ose është viktimë e konkurrencës dhe luftës brenda llojit në PD, ose kanë ndryshuar interesat.

Padyshim që koston e paguajnë shqiptarët.

Kjo nuk është arsyeja e vetme e qëndrimit tonë.

Padyshim që ne nuk mund të bëhemi palë me një proces që nuk ka qenë aspak i hapur, nuk ka qenë përfshirës.

Ju thoni se projekti që keni paraqitur është një reformë e rëndësishme.

Po si është e mundur që një reformë e rëndësishme që ka të bëjë me fatin e mijëra studentëve, që janë sot në universitete, me dhjetëra mijëra të tjerë që do vinë nesër madje dhe me ata që kanë mbaruar, të mos i nënshtrohet një diskutimi të hapur e serioz ?

Pse keni frikë të bëni një proces të hapur?

Me këtë projekt keni bërë një hap mbrapa edhe në raport me ligjin aktual i cili pati një proces më të hapur se ky i sotmi dhe pati më shumë kohë për t’u diskutuar me aktorë interesi e në komision, ç’ka solli përmirësim të tij.

Kjo është shenja e qartë se demokracia po shkon poshtë, jo lart dhe këtë e dëshmon jo vetëm procesi i mbyllur i bërjes së projekt ligjit po e edhe përmbajtja e tij.

Problemi themelor i këtij ligji është fakti se qeveria vazhdon të marrë më shumë fuqi në kurriz të autonomisë universitare, madje me këto ndryshime po thelloni atë që bëtë në vitin 2007.

Institucioneve të arsimit të Lartë u hiqet e drejta që kanë patur për të përcaktuar kritere për përzgjedhjen e kandidatëve për në universitet duke u lënë mundësinë vetëm për të propozuar. Pra kalohet nga e drejta e përcaktimit te propozimi kritereve.

Dhe ky është qartazi hap mbrapa në autonominë e universiteteve, të cilave u hiqet një e drejtë e fituar me ligj.

Institucioneve të arsimit të lartë u hiqet gjithashtu e drejta që kanë patur për të organizuar strukturat e brendshme me ndryshimet e bëra në nenin 47 si dhe e drejta për të punësuar.

Ky është shqetësimi që vjen jo vetëm nga opozita po nga qarqet akademike, Kryetari i Konferencës së Rektorëve dhe Rektorët e disa universiteteve publike dhe jo publike.

Autonomia e Universiteteve është sot e cënuar në të dy nivelet:

në raportet qeveri – institucione të arsimit të lartë ( kompetencat grumbullohen te ministri) dhe në nivelin: Rektor-Dekan-apo shef departamenti.

Këta të fundit s’kanë asgjë në dorë dhe ky është një ngërç i madh që i lë shumë mbrapa universitete publike.

Riformatimi i cikleve të studimit krijon gjithashtu probleme me masterin për shkak të mungesës së fleksibilitetit në kredite.

Ky riformatim nuk ka konsideruar raportet me kërkesën e tregut të punës dhe do krijojë probleme punësimi.

Ky projekt parashikon doktoratura me korrespondencë.

Ajo që është e çuditshme madje absurde, është vendosja e doktoraturave me korrespondencë edhe për shkencat ekzakte, biologjike apo mjekësore.

Kjo do e kthente doktoraturën në një formë tjetër të shitjes së diplomave.

Do më lejoni të citoj rektorin e Universitetit Bujqësor i cili tha se “ Ky është turpi ynë “ dhe unë mendoj se ka ende kohë për ta shmangur këtë turp.

Për fat të keq arsimi është peng jo vetëm i paaftësisë po dhe e korrupsionit që po e gërryen.

Në fakt modeli i ri i korrupsionit që po përdorni (jo vetëm për arsimin), është ai i bërjes me ligj për të ndarë përgjegjësitë e shpëtuar nga drejtësia.

Tipike është dhe vënia në këtë ligj e programit të Toeflit.

Si është e mundur që të vihet në ligj se studentët e Masterit duhet të japin provimin e gjuhës angleze me programin e Toeflit.

Nuk jemi kundër Toeflit po pyetja e parë që shtrohet është:

Pse Toefl dhe jo IELTS apo ndonjë program tjetër.

Kush është pas kësaj afere dhe ç’lidhje ka me qeverinë?

Pse përjashtohet Fakulteti i Gjuhëve të huaja?

Me këtë ndryshim që ju bëni duke vënë në një ligj provizione përjashtuese për gjuhët e tjera, duke lënë vetëm anglishten, po votoni mbylljen e Fakulteteve të Gjuhëve të huaja.

Besoj që e dini ligjin që keni miratuar, që një fakultet duhet të ketë të paktën dy departamente.

Pas kësaj që pranoni vetëm anglishten për masterin (për të cilën Ministri ka deklaruar që do jetë dhe gjuhë e dytë zyrtare) askush nuk do jetë i interesuar të regjistrohet në degë të gjuhëve të tjera.

Në fakt për të kuptuar më mirë raportet tuaj me arsimin dhe seriozitetin mjafton një vështrim i shpejtë mbi buxhetin.

Dy dit më parë diskutuam buxhetin e rishikuar.

Të dhënat e projekt buxhetit, dëshmojnë se arsimi nuk është më prioritet dhe këtë duhet t’ua thoni njerëzve.

Buxheti në raport me GDP ka ardhur në rënie në tre vitet e fundit nga 3.27 në 3.24 dhe sot në 3.11.

Janë 3.5 miliardë lekë, që u hiqen investimeve në arsim ose 38.2% më pak se në vitin e kaluar.

Arsimit të lartë i janë shkurtuar 33.5% e fondit të investimeve.

Problemi është se ky buxhet nuk po gërryhet vetëm nga paaftësia e qeverisë po edhe nga korrupsioni i frikshëm.

Sipas KLSH 3.7 milionë dollarë janë abuzimet vetëm për programin e pajisjeve me kompjuterë në shkolla.

Po të ishte evituar vetëm ky korrupsion buxheti arsimit lartë nuk do ishte shkurtuar arsimi i lartë do kishte më shumë buxhet.

Po 3.7 milionëshi është një pikë ujë në oqeanin e korrupsionit që rezulton jo vetëm nga raportet e KLSH po dhe nga skandalet e aferave që po lancohen përditë në shtyp e këtu në parlament.

Monopolet i kanë shtrirë tentakulat në çdo pasuri të shqiptarëve në energji, ujë, çimento, transport, ilaçe.

Klientët e qeverisë tashmë janë publik, nuk e di ç’pret prokuroria për të vepruar.

Gjithsesi duke ju rikthyer projektit deklaroj edhe njëherë votën tonë kundër.

KOMENTE