English

Poloni - Përmbytjet: Ndihmë Fondit Të Solidaritetit Të Be-Së

VARSHAVË, 23 korrik /ATSH-AFP/ - Polonia i dërgoi sot një kërkesë për ndihmë Fondit të solidaritetit të Bashkimit Evropian për rindërtimin e infrastrukturave të shkatërruara gjatë dy valëve të përmbytjeve që dëmtuan këtë vend në maj dhe qershor, njoftoi Ministria e Brendshme. "Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet janë vlerësuar në më tepër se 2,9 miliardë euro. Kjo shumë e kalon me 0,6 për qind Prodhimin e Brendshëm Bruto për vitin 2009 gjë që bën të mundur hartimin e një kërkese për financim drejtuar Komisionit Evropian", njofton ministria në një komunikatë. Fondi i Solidaritetit të Bashkimit Evropian, i krijuar në vitin 2002, bën të mundur të ndihmohen shtete të prekura nga katastrofa të mëdha natyrore, që kanë shkaktuar dëme më të larta nga pragu i përcaktuar për çdo vend. Sipas Varshavës, rreth 266 000 persona në 811 komuna janë prekur nga përmbytjet, 31 000 persona janë evakuuar, 1 160 kilometra rrugë kombëtare, si dhe 80 000 kilometra rrugë lokale, 400 kilometra hekurudha dhe 59 ura janë dëmtuar nga vërshimet e ujërave dhe 1 300 kilometra diga duhet të përforcohen ose të rindërtohen. Për të përfituar një mbështetje evropiane, qeveritë duhet të jenë në përputhje me legjislacionin evropian. Por, Polonia nuk është, shprehu keqardhjen Komisioni duke i dërguar në korrik një paralajmërim Varshavës ku i kërkonte t'i komunikonte masat e marra për të parandaluar përmbytjet, përndryshe do të përndiqet penalisht nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Qeveritë e BE-së kishin afat deri më 26 nëntor të vitit 2009 për të vënë në zbatim legjislacionin në fushën e parandalimit të përmbytjeve. Legjislacioni ambjental i BE-së u kërkon të gjitha vendeve të vlerësojnë rreziqet për përmbytje dhe të informojnë Komisionin për masat e marra për administrimin e këtij rreziku. /I.Pu.
KOMENTE