Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Qeveria Shqiptare E Angazhuar Për Normalizimin E Marrëdhënieve Kosovë-Serbi
English

Qeveria Shqiptare E Angazhuar Për Normalizimin E Marrëdhënieve Kosovë-Serbi

- Deklaron kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë - TIRANË, 23 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave konfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për inkurajimin e autoriteteve në Kosovë në normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Kryeministri Berisha iu referua vendimit të shpallur dje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) për pavarësinë e Kosovës, duke e konsideruar këtë akt plotësisht të ligjshëm. "Shpreh vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të punuar me seriozitetin dhe angazhimin më të madh për një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Serbisë dhe shqiptarëve, marrëdhënie që do të kontribuonin shumë në stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e rajonit. Në këtë drejtim do të inkurajojmë autoritetet kosovare për përpjekje serioze në normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin. Drejtësia u bë dhe në këtë kontektst palët kanë detyrimin të nxjerrin konkluzionet dhe të përpiqen ta shndërrojmë atë në një vendim me kontribut të madh për paqen e rajonit", tha ai. Kryeministri Berisha, duke iu referuar vendimit të GJND-së, tha se për herë të parë në historinë mijëravjeçare të kombit shqiptar e drejta e shqiptarëve bëhet e drejtë botërore. Ajo ngrihet në piedestalin më të lartë të së drejtës së njerëzimit dhe kjo përbën një arritje, që pak vite më parë askush nuk mund ta imagjinonte. "Kjo, vijoi ai, nuk ka ndodhur se ne shqiptarët jemi një komb i preferuar. Jo! Në tërësi ne kemi qënë një komb jetik, pa miq ose me shumë pak miq. Kjo nuk ka ndodhur as për t'u ndëshkuar palët që kërkojnë, por kjo ndodhi për të bërë të drejtën. Dhe e drejta e qytetarëve të Kosovës ishte unike në llojin e saj. Rasti i Kosovës ishte 'sui generis' dhe i paprecedent në historinë e Europës dhe botës", theksoi kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë tha se GJND e gjykoi vendimin e pavarësisë, në raport me ligjin ndërkombëtar, plotësisht legal. "Ky akt ishte i ligjshëm dhe në raport me rezolutën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe po ashtu ishte plotësisht i pajtueshëm në raport me kornizën kushtetuese të vendosur nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë", tha z. Berisha. "E vërteta është se nuk ishin shqiptarët që e paraqitën çështjen në Gjykatë. Jo, ata e shpallën pavarësinë në të drejtën e tyre. Ata nuk paditën, por u paditën në përputhje me ligjin dhe rregullin ndërkombëtar nga Serbia, e cila shfrytëzoi të drejtat ndërkombëtare. Shpresoj dhe besoj se pala paditëse do t'i përmbahet vendimit të GJND-së në interesin më të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon. Ky verdikt nuk mundet kurrsesi që të ndalonte një realitet të parikthyeshëm, siç është pavarësia e Kosovës", nënvizoi Berisha. Ai uroi që ky verdikt të ndihmojë procesin e integrimit europian të rajonit tonë dhe respektimi i tij përbën një bazë shumë solide për të promovuar dhe ndërtuar më tej idealet europiane. /f.n/
KOMENTE