Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Sport-Koment/ Humbje Dhe Akuza Për Trukim, Aventura E Klubeve Shqiptare Në Evropë
English

Sport-Koment/ Humbje Dhe Akuza Për Trukim, Aventura E Klubeve Shqiptare Në Evropë

TIRANË, 23 Korrik/ATSH-Gjergji Mima/.- Edhe këtë vit klubet shqiptare kanë treguar se nuk janë të gatshme për të përballuar rivalet e tyre evropiane. Laçi, Tirana, Dinamo dhe Besa, katër ekipet shqiptare në Kupat e Evropës morën secila nga një eliminim të turpshëm dhe një "thes" me gola. Përjashtim pozitiv, megjithëse të vogël, bën Tirana, e cila ishte skuadra e vetme shqiptare që mundi të kalojë një tur në Europa League, pasi mposhti hungarezët e ZTE me rezultatin 0-0 në Tiranë dhe 1-0 në Hungari falë golit në kohën shtesë të Erando Karabecit. Ndërkohë në turin e dytë Tirana tregoi limitet e saj dhe të futbollit shqiptar përballë holandezëve të FC. Utreht, ku pasi u mposht 4-0 në takimin e parë, barazoi 1-1 në Tiranë duke u larguar si skuadra me ecurinë më pozitive nga ekipet shqiptare këtë sezon në Evropë. Ndërsa kampionia e Shqipërisë, Dinamo, vuajti disa gabime amatoreske të portierit të saj Isli Hidi dhe kapitenit Arjan Pisha në humbjen 3-1 që pësoi në Moldavi ndaj Sherif Tiraspol. Megjithëse fituan 1-0 në Tiranë, blutë nuk mundën të kualifikoheshin për më tej duke mos justifikuar blerjet e 5 argjentinasve dhe afrimin e trajnerit argjentinas Manuel Blanko, që u cilësua si njeriu që do ta çonte larg këtë Dinamo në Kupat e Evropës. Zhgënjimit të dy skuadrave kryeqytetase iu shtua edhe turpërimi i dy ekipeve me më pak emër në arenën evropiane, Laçit dhe Besës. Kurbinasit si debutues në Kupat e Evropës bën një paraqitje dinjitoze në takimin e parë historik në Durrës ndaj bjellorusëve të Dnepr Mogilev duke kryesuar gjatë gjithë takimit 1-0 dhe duke u barazuar vetëm në minutat shtesë. Por, në Bjellorusi erdhi dhe shkatërrimi për ekipin e trajnerit Stavri Nica. Humbja 7-1 e denjë për një ndeshje tenisi dhe jo futbolli, ngriti edhe një herë në mendjen e të gjithëve akuzat për trukime ndeshjesh dhe rezultatesh. Akuza që i shoqërojnë ekipet shqiptare në çdo sezon të Kupave të Evropës. Ndërkohë misioni i Besës në Evropë këtë vit ishte i pamundur që në fillim duke parë që shorti i vuri përballë grekëve të Olimpiakos, një skuadër me emër në arenën evropiane, por kavajasit, fitues të Kupës së Shqipërisë sezonin e kaluar, nuk mundën t'i bënin ballë për asnjë moment sulmit grek duke pësuar 11 gola në dy takime dhe duke shënuar vetëm 1. Humbja 5-0 në Tiranë dhe ajo 6-1 në Greqi, përveç se tregojnë nivelin e ulët të futbollit shqiptar në krahasim me fqinjët grek, ngrin sërish akuzat për shitje ndeshjesh nga ekipet shqiptare. Një fakt që përforcohet akoma më shumë duke parë që shtatë golat e ndeshjes Olimpiakos - Besa u shënuan në pjesën e dytë, pasi 45 minutat e para përfunduan në barazim 0-0. Akuza për trukime ndaj klubeve shqiptare këtë sezon nuk kanë munguar të bëjnë vetë drejtuesit e klubeve. Tek Tirana u zhvillua një analizë e gjatë pas humbjes 4-0 në Holandë, dhe pas akuzave të trajnerit Sulejman Starova se "lojtarët shitën ndeshjen", por duket se gjithçka u qetësua pasi u arrit në përfundimin se aq ishin mundësitë e lojtarëve dhe skuadrës. Edhe trajneri i Besës, Shpëtim Duro akuzoi të tijët pas humbjes 6-1 në Greqi duke thënë se ende nuk ka marrë një shpjegim për shpërbërjen e skuadrës në pjesën e dytë, ku u pësuan 6 gola. Pra edhe këtë sezon është përsëritur e njëjta "muzikë" në aventurën e shkurtër të skuadrave shqiptare në Evropë. Humbje turpëruese dhe akuza për trukim. Tifozët shqiptarë janë mësuar tashmë që ekipet tona të eliminohen shpejt nga Kupat e Evropës. Ende nuk mund të mendohet që ekipet shqiptare të kalojnë në fazën me grupe, por të paktën të luhet futboll, ky pretendim është legjitim për këdo sportdashës. /f.n/
KOMENTE