English

Vrasja e 24-vjeçarit Fabian Nika në Lezhë, dorëzohet i dyshuari

Lezhë, 23 Korrik 2010 NOA – Ka përfunduar në prangat e policisë mbrëmjen e sotme i dyshuari i vrasjes në orët e para të mëngjesit të së Premtes të 24-vjeçarit Fabian Nika i cili u qëllua me pistoletë në mes të qytetit të Lezhës dhe pak më vonë ndërroi jetë ndërsa u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Burime policore i thanë agjencisë NOA se është arrestuar pas dorëzimit pa rezistencë, i dyshuari Erind Mruku, 23 vjeç, lindur e banues në Lezhë.

Hetimet e para e çojnë policinë në pistën e një konflikti të lindur disa orë para vrasjes në plazhin e Shëngjinit ku si viktima dhe i dyshuari kanë qenë duke kaluar disa orë pushimi secili me shoqërinë e tyre.

Dyshohet se Mruku dhe Nika janë përplasur për motive të çastit në plazhin e Shëngjinit dhe më tej janë riparë në orët e pasmesnatës duke gdhirë dita e sotme (E Premte) kur edhe ka ndodhur krimi fatal.

Ngjarja shkaktoi klimë pasigurie në Lezhë por edhe më gjerë. Viktima, Fabian Nika, 24 vjeç, djalë i një biznesmeni, pak vite më parë i njohur si këngëtar pas debutimit me një këngë të muzikës së lehtë, u ekzekutua pranë një internet-kafe dhe një picerie, në orën 01.30 të ditës së sotme.

Pas ngjarjes, autori u zhduk në drejtim të paditur. Policia nuk shprehet ende nëse ka pasur bashkëpunërtorë në krimin e ndodhur.

a.b/NOA

KOMENTE