English

Koment - Kosovë - Evropa Kërkon Të Kapërcejë Përçarjet Lidhur Me Njohjen E Pavarësisë

BRUKSEL, 24 korrik /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian shpreson të arrijë më tepër kompaktësi në radhët e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës pas mendimit të drejtësisë ndërkombëtare, që i vendos nën presion shtetet që nuk janë shprehur ende për ta zbutur qëndrimin e tyre. "Duke e bërë të vlefshme ditën e enjte deklaratën për pavarësinë e Kosovsë në vitin 2008, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, GJND, i vuri në vështirësi vendet evropiane që nuk e njohin ende atë", shprehet një diplomat evropian i rangut të lartë. "Debati për njohjen e Kosovës do të rifillojë pas konkluzioneve të GJND-së", thekson një diplomat tjetër, ndërkohë që situata në rajonin e Ballkanit pritet të diskutohet të hënën në Bruksel me rastin e një mbledhjeje të ministrave të Jashtëm evropianë. Çështja e statusit të Kosovës ka qenë që në fillim delikate për Bashkimin Evropian pasi pesë prej 27 vendeve të tij, Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qiproja, vazhdojnë të mos e miratojnë pavarësinë e Kosovës. Në shkallë të ndryshme të gjithë dyshojnë se mos ky precedent ushqen apo nxit tentativa separatiste tek ta, për sa u përket katalanasve ose baskëve në Spanjë, minoriteteve hungareze në Rumani ose Sllovaki, apo turqve në Qipro. Kjo çarje bën një efekt negativ në një kohë kur Evropa e ka bërë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor një test për diplomacinë e saj dhe kur ajo ka zgjedhur si një Përfaqësuese të Lartë për Çështjet e Jashtme me kompetenca më të mëdha që është Catherine Ashton dhe e cila është e ngarkuar pikërisht me koordinimin e veprimit të jashtëm të BE-së. Tani për tani, vendet që dallohen nga pjesa tjetër e BE-së duket se janë të vendosura. Rumania dhe Spanja kanë mbajtur qëndrimin e tyre për mos njohje pas mendimit të GJND-së. Por, presioni po rritet. "I inkurajoj të gjitha shtetet e tjera që nuk e kanë bërë ende, ta njohin tashmë Kosovën", kërkoi ministri i Jashtëm britanik, William Hague. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një mesazh të ngjashëm. Disa shenja zbutjeje janë parë tashmë. Kështu, të 27 vendet e BE-së, përfshirë pra edhe ato të pesta që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ranë dakord këtë javë, pas bisedimeve të vështira, për një reagim të përbashkët ndaj mendimit të shprehur nga GJND-ja që thekson se një "fazë e re" po hapet dhe se e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës është në Bashkimin Evropian". A është ky një hap i parë drejt njohjes nga blloku evropian për Prishtinën? Sidoqoftë, vendet kundërshtuese janë përpjekur të qetësojnë situatën në mënyrë që mendimi i GJND-së të mos përdoret nga Serbia apo Kosova për t'i hedhur benzinë zjarrit. Sipas Michael Emerson, analist i Center for European Policy Studies, vendimi i gjykatës mund t'i nxisë ato të marrin një vendim, në favor të njohjes me kohë. Por, sipas ekspertëve, grupet separatiste, të inkurajuara nga mendimi pozitiv i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, GJND për deklaratën e pavarësisë së Kosovës do të shohin se dokumenti nuk krijon precedent ligjor. Mendimi konsultativ, jodetyrues për shtetet, i GJND-së ishte i kufizuar në faktet specifike lidhur me rastin e Kosovës dhe nuk u jep asnjë të drejtë minoriteteve të shpallin pavarësinë e tyre, sipas disa specialistëve të së drejtës ndërkombëtare. "Për grupet minoritare që parashikojnë të shkëputen, mendimi duket në shikim të parë si diçka e dobishme. Por, ai nuk i ndihmon aspak ata nga pikëpamja ligjore", bëri të ditur Willem van Genugten, pedagog i të drejtës në universitetin e Tilburgut. "Gjykata gjeti një mënyrë elegante për të mos krijuar precedent", deklaroi Jean d''Aspremont, pedagog i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit. "Në një kuptim ligjor, mendimi konsultativ nuk i ndihmon grupet minoritare sepse atje ato nuk gjejmë asnjë të drejtë", shtoi ai. "Analiza ligjore e mendimit konsultativ do të jetë interesante për avokatët, por jo për luftëtarët për liri", thekson Marko Preleç, një analist i OJQ-së International Crisis Group. Në terma afatgjatë BE-ja shpreson që perspektiva për një anëtarësim do ta bindë edhe Serbinë të zbusë qëndrimin. Beogradi ka treguar se kërkon të paraqesë kandidaturën në dhjetor. Tani për tani, evropianët po përpiqen t'i qetësojnë ata që i shqetëson precedenti i Kosovës. Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën ka të bëjë me një "situatë të veçantë që nuk ka të bëjë aspak me raste të tjera në botë", u shpreh shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle. "Bëhet fjalë për një vendim unik për një situatë të veçantë në një kuadër historik të veçantë", deklaroi ai në Nikozi në përfundim të një takimi me homologun qipriot Markos Kyprianou Ai nuk pengon, madje për disa është hapur Kutia e Pandorës. /I.Pu.
KOMENTE