English

PS: Shkurtimet në buxhet paralizojnë bujqësinë, e cila na mban me bukë

Tiranë, 24 Korrik, NOA – “Rishikimi i buxhetit 2010, nuk e zgjidh krizën ekonomike me të cilën po përballet vendi dhe qeveria ka qenë përsëri e papërgjegjshme, duke prerë fondet e investimet me gërshërë lart e poshtë, pa analizuar e realizuar impaktin që kanë këto ndryshime në buxhet”.

Kjo ka qenë deklarata e radhës e mbërritur nga selia rozë përmes deputetes Mimi Kodheli mbi krizën ekonomike, duke pohuar se nga këto shkurtime në buxhet është prekur më shumë bujqësia, i cili është në fakt sektori që punëson më shumë njerëz në këtë vend.

“Sipas statistikave zyrtare, ky sektor punëson 48 % të të punësuarve gjithsej, çka e bën sektor kyç për zhvillimin e vendit, por vetëm gjatë tremujorit të fundit të 2009, në bujqësi janë humbur më se 73.000 vende pune. Sipas INSTAT këta të punësuar janë zhdukur prej 6 muajsh”, pohoi Kodheli.

Duke shtuar se bujqësia po goditet rëndë me një shkurtim i paimagjinueshëm i fondeve për zhvillimin e sektorit.

“Nëse në shumicën e rasteve shpenzimet për sektorë janë ulur me 25%, për bujqësinë, fondet janë ulur me më shumë se gjysmën. Nga parashikimi origjinal i qeverisë, plani i investimeve në bujqësi ka mbetur veç 45% e tij, pas gërshërëve të Bodes e Berishës”, tha Kodheli më tej lidhur me një fakt të tillë.

Ndërsa në lidhje me përmbytjet, Kodheli tha se “pushteti i Berishës, pas rishikimit te buxhetit i shkurton fondet për pastrimin, riparimin e ngritjen e kanaleve e argjinaturave me 67 %”.

“67% më pak për të gjithë ato dhjetëra mijëra familje të cilat Berisha e Prifti i përmbytën e u shkatërruan shtëpitë, tokat e prodhimin e një viti. 67% më pak për të parandaluar përmbytjet e shqiptarëve, që pushteti Berisha të shpëtojë veten nga gropa ku e ka hedhur paaftësia, keq-menaxhimi i fondeve publike e korrupsioni, i cili sot po i zhyt shqiptarët më thellë, thjesht dhe vetëm për një grusht para më tepër”, shtoi ajo.

Duke apeluar në fund se nëse vjeshtën që vjen zonat e Shkodrës, Lezhës dhe Korçës do të përmbyten sërish, ashtu siç është bërë tashmë zakon, fajin nuk do ta ketë as hëna, as deti dhe as reshjet, por papërgjegjshmëria e këtij pushteti që ka shkurtuar treçerekun e fondeve që do të parandalonin përmbytjet.

n.e/NOA

KOMENTE