English

Zv/kryeministri përshëndet deklaratën e BE-së për Kosovën

Tiranë, 24 Korrik, NOA – “Dua të përshëndes dhe të mbështes plotësisht deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Ashton, e cila në emër të BE-së ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila theksoi se tani fillon një fazë e re, dhe njëkohësisht se duhet që të gjithë të shikojnë drejt së ardhmes”.

Ky ka qenë mesazhi që kryediplomati shqiptar, Ilir Meta, ka dërguar Brukselit zyrtar në lidhje me qëndrimin e tij pas shpalljes së vendimit pro-Kosovë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, i pyetur nga mediat.

Sipas tij, me mesazhin e Ashton konfirmohet mbështetja e Bashkimit Europian për të ardhmen europiane të Serbisë, si dhe për të ardhmen europiane të Kosovës dhe duke theksuar vullnetin e Bashkimit Europian për t’i ndihmuar të dyja vendet që të ecin në këtë drejtim.

“Njëkohësisht jepet mesazhi se duhet bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrë që të përmirësohet edhe më tej klima e bashkëpunimit rajonal, por edhe të përmirësohet në këtë mënyrë jeta e qytetarëve duke treguar qartë rëndësinë e bisedimeve për çështje konkrete dhe praktike midis këtyre dy vendeve”, u shpreh Meta.

n.e/NOA

KOMENTE