English

Shqipëria Ka Vullnetin Dhe Mjetet E Duhura Për Të Luftuar Trafikun E Paligjshëm

- Intervistë me zv/presidenten e Fondacionit 'Hans Siedel', Ursula Mannle, anëtare e Parlamentit të Bavarisë - TIRANË, 25 Korrik /ATSH-M.Shkurta/. - Shqipëria ka vullnetin dhe të gjitha mjetet e duhura për të luftuar trafikun ilegal. Në një intervistë për ATSH-në Ursula Mannle, anëtare e Parlamentit të Bavarisë dhe zv/presidente e Fondacionit gjerman "Hanns Siedel", vlerëson angazhimin e qeverisë shqiptare dhe institucioneve ligjzbatuese për të luftuar fenomenin e trafikut të paligjshëm. "Shqipëria ka jo vetëm vullnetin e mirë, por dhe të gjitha mjetet e duhura financiare dhe njerëzore për të luftuar trafikun ilegal", tha znj. Mannle, e cila nënvizon se "e rëndësishme është jo vetëm vënia para drejtësisë e atyre që zhvillojnë trafikun ilegal, por dhe marrja e masave për krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e viktimave të këtij trafiku, një hap tashmë i ndërmarrë nga Shqipëria". Ndër të tjera zv/Presidentja e Fondacionit "Hanns Siedel" u shpreh dhe për marrjen e masave parandaluese, fushatave sensibilizuese apo shpërndarjen e informacionit për qytetarët që mund të bien pre e këtij fenomeni. "E rëndësishme dhe për t'u përgëzuar, tha ajo, është fakti se edhe në Shqipëri, është kuptuar rëndësia e bashkëpunimit të aktorëve të ndryshëm, jo vetëm qeveritarëve dhe institucioneve të ndryshme shtetërore, por edhe përfaqësuesve nga shoqëria civile, bashkëpunim që është tepër i rëndësishëm". Në këtë proces, znj.Mannle u ndal dhe tek rëndësia që merr bashkëpunimi ndërkombëtar i të gjitha institucioneve ligjzbatuese. "Besimi i ndërsjelltë është shumë i rëndësishëm dhe ndihmon në zgjidhjen e këtij problemi", tha ajo, duke nënvizuar njëkohësisht dhe rëndësinë e ngritjes së komisioneve të përbashkëta me aktorë të ndryshëm në rrafshin ndërkombëtar, për zgjidhjen e këtyre problemeve, duke respektuar të drejtat e çdo vendi. I rëndësishëm në këtë proces, sipas zv/presidentes së fondacionit gjerman, është dhe kontrolli kufitar. "Duhet zgjidhur problemi i kalimit të kufijve, pasi krimi nuk njeh kufij dhe ky problem duhet zgjidhur përtej kufijve", tha znj. Manle. Duke u ndalur në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për rezultatet pozitive që Shqipëria ka arritur në luftën kundër trafikut ilegal, ajo theksoi se "Shqipëria nuk shërben më si vend tranzit apo origjine për viktimat e trafikut". Edhe ngritja së fundi në Shqipëri e zyrës ndërkombëtare "ILEKU", sipas saj është një pasqyrë e qartë e luftës dhe angazhimit të Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar. "Ngritja e kësaj zyre në Shqipëri tregon më së miri se vendi juaj është në rrugë të mbarë", u shpreh zv/Presidentja e Fondacionit "Hanns Siedel. Gjatë vitit 2008, në Shqipëri u identifikuan 104 raste të trafikimit me 154 autorë, ndërsa gjatë vitit 2009, 46 raste me 73 autorë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, rastet në drejtim të trafiqeve të paligjshme kanë shënuar një rënie dhe kjo falë një lufte efikase. Në fakt, Shqipëria ka përforcuar legjislacionin në këtë drejtim, ndër të cilat veçohen ligji "Për Moratoriumin e mjeteve të lundrimit", ligji "Antimafia", ai "Për mbrojtjen e dëshmitarëve", apo miratimi i një sërë marrëveshjeve me vendet fqinje për mbrojtjen dhe asistencën për viktimat e trafikut, ratifikimi i gjithë Konventave të Këshillit të Europës kundër trafikut të qenieve njerëzore etj. Tre muaj më parë u miratuan ndryshimet ligjore, që parashikojnë përfshirjen për herë të parë në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike edhe të viktimave të trafikut. Ky ligj i hap rrugën mbështetjes me pagesa të viktimave të trafikut, pas daljes së tyre nga qendrat e përkujdesit social. /k.sh/
KOMENTE