English

Arrestohen dy vetë për një sërë vjedhjesh në Tiranë, Durrës, Fier, i treti në kërkim

Tiranë, 26 korrik, NOA – Bien në prangat e policisë së kryeqytetit dy persona që në bashkëpunim me një të tretë kanë kryer një sërë vjedhjesh në Tiranë, Durrës e Fier.

Policia e Tiranës raporton se 27 vjeçarja Eralda Bilbil Hasanaj dhe 42 vjeçari Ahmet Tahir Bellahu të dy banues në Tiranë, u arrestuan në flagrancë nga oficerët e komisariatit të policisë nr.2 në kryeqytet, pas hetimeve të kryera dhe informacioneve të mbledhura mbi këto vjedhje të ndodhura.

Ndaj dy shtetasve të lartpërmendur rëndojnë akuzat për vjedhjen e një automjeti Audi A4, në pronësi të një shtetasi tjetër.

Nga hetimet e policisë rezultoi se Eralda Hasanaj dhe Ahmet Bellahu kanë bashkëpunuar edhe me 21 vjeçarin Erand Hasanaj, për të kryer disa vjedhje në Tiranë, në vitin 2008.

Në dokumentacionin e hartuar të arrestuarit akuzohen për vjedhjen e lokalit “Grejsi” në Tirana, në vitin 2009, vjedhjen e një dyqani argjendarie në qytetin e Fierit në 5 Maj të këtij viti, vjedhjen e një lokali lotosh sportive në 11 dhjetor të vitit 2009, ku ata dyshohet të kenë marrë një sërë sendesh elektroshtëpiake.

Policia gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, sekuestroi si provë materiale, automjetin Audi A4 me targë TR 1055 L, një sasi të konsiderueshme floriri, i dyshuar si i vjedhur në një argjendari në qytetin e Fierit si dhe shumën e parave prej 100 000 lekësh.

Tashmë policia po punon intensivisht për kapjen e shtetasit Erand Hasanaj, të identifikuar si bashkëpunëtor në këto vjedhje.

mit/NOA
KOMENTE