English

Të Lexosh Apo Jo Psikologji Popullore

TIRANE, 26 Korrik/ATSH/.- Tituj të tipit "një jetë më të lumtur", "sukses në dashuri dhe profesion", "si të bëhemi lideri i përsosur", "si t'u imponohemi të tjerëve", "sekretet për t'u bërë simpatik", etj, konsiderohen si kategoria e librit "pop psychology" (psikologjia popullore). Rreth 60 tituj librash që numërohen në Shqipëri në këtë kategori, pjesa më e madhe janë "best seller" botëror, blerësit e të cilëve sipas librashitësve "nuk i takojnë një kategorie të caktuar lexuesish". Sipas tyre, lexuesit e të gjitha niveleve tërhiqen për t'i blerë këto libra, nga titujt tundues. Për lexuesin shqiptar përballja me to është një përvojë e re, ndërkohë që në botë për dekada ky seksion librash rezulton ndër më të suskesshmit, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas psikologëve, arsyet e interesimit ndaj tyre janë nga më të ndryshmet, por në thelb qëndron egoja e fshehur njerëzore për të qenë në "majë". Ç 'farë është "pop psychology" ? E lindur si tendencë në vitet '40 -të të shekullit të kaluar, ky stil literature shërbente si manual për t'i ardhur në ndihmë njerëzve në marrjen e vendimeve gjatë jetës. Si lëvizje, psikologjia popullore i referohet librave programeve ose seminareve, që të lejojnë të rindërtosh ose rimodelosh realitetin, duke ndjekur rregulla të thjeshta, të organizuara teknikisht dhe në mënyrë të thjeshtë në manuale. Në përgjithësi një literaturë e tillë shkruhet nga njerëz jo profesionistë (jo psikologë), që japin eksperiencën e tyre në ndihmë të të interesuarve, por nuk mund të përjashtohen edhe psikoterapeutët dhe psikologët, të cilët i kushtojnë një pjesë të karrierës së tyre kësaj kategorie. Nga ana e tij, publiku është i interesuar të tërheqë këtë literaturë, pasi është në natyrën humane interesi i vazhdueshëm për të kuptuar veten e të tjerët, të ndihmuar dhe nga thjeshtëzimi i koncepteve, që i bën këta libra të kuptueshëm nga të gjithë. "Pop psuchology" dhe ekserienca shqiptare Autorë si Leo Buscaglia, Maria Rita Parsi, Alberioni, Nancy Good, Harry Box, Xhon Grej, etj, janë vetëm disa prej autorëve të përkthyer në shqip. Që në kopertinë titulli shoqërohet nga pohime të tipit "Më së fundi do të gjeni një libër që do t'ju ndihmojë të gjeni burrin e ëndrrave tuaja", " Si të harroni brengat dhe të gjeni kënaqësi në jetë", etj. Ndonëse në Shqipëri kjo literaturë ofrohet vetëm prej një dekade, interesi është jo i vogël. Sociologët shqiptarë pohojnë se përmbajtja e librave të kësaj kategorie është pozitive, sepse demostrojnë modele sjelljeje e shembuj të zgjidhjeve të caktuara, të domosdoshme për situatën stresante që shoqëron jetën e një njeriu dhe njerëzit i konsiderojnë këto libra si "medikament" psikologjik për zgjidhjen e problemeve të tyre. Për aspektin dëmtues të këtyre librave, sociologët thonë se nuk kemi të bëjmë me një literaturë të mirëfilltë psikologjie, pasi janë pjesë e konsumit dhe japin informacion me konsiderata psikologjike dhe jo shkencore. Sipas tyre, materiali i përdorur është i paplotë, pasi shembuj të caktuar nuk mund të jenë të efektshëm për raste konkrete, sepse një eksperiencë ndryshon nga tjetra dhe probleme të njëjta mund të kenë arsye të ndryshme, të cilat nuk mund të përgjithësohen. Eksperienca botërore Ndërsa në Shqipëri interesi ndaj këtyre librave rezulton në hapat e para, në botë vlerësimi i tyre ndryshon. Kjo kategori "seller" ka krijuar madje ngopje dhe ka nxitur kritikën ndaj tyre. Psikologu amerikan Dr. Chris Thurman në një libër të tij "Auto-ndihma dhe auto- shkatërrimi" (Self-help and Self Destruction) ilustron mitet mbizotëruese mbi psikologjinë popullore. Disa nga mitet që ai evidenton janë shprehjet; 'besimi se të gjithë njerëzit janë të mirë në thelb", " të rritësh autovlerësimin", " të duash veten në radhë të parë", " të mos gjykosh njeri", "çdo faj ta konsiderosh si të keq" etj, për të cilat ekziston besimi se po të përmbushen çojnë domosdoshmërisht në sukses. Të tjera konsiderata i quajnë sugjerimet e këtyre librave si të paplota. Sipas tyre ato japin një pikturë të mangët të realitetit dhe si anë të dëmshme të tyre konsiderojnë faktin se "dija e pakët është gjë e rrezikshme". Eshtë fakt se libra të tillë krijohen, kthehen në 'best seller' dhe shiten kohë pas kohe. Dhe ndërsa psikologjia evolon, ato mbeten të izoluara nga historia e saj./e.gj//n.m/
KOMENTE