English

Greqi - Një Grup Ekstremist Kërcënon Me Vdekje Gazetarë Dhe Policë

ATHINË, 28 korrik /ATSH-AFP/ - Grupi i ekstremit të majtë grek "Sekti i revolucionarëve", që mori përsipër vrasjen në mes të korrikut të një gazetari grek", kërcënoi sot me vdekje disa gazetarë, policë dhe anëtarë të personelit të burgjeve. "Jemi në luftë kundër demokracisë suaj", njoftoi organizata në deklarata të publikuara në të përditshmen greke "Ta Nea". "Duam të japim një mesazh për të gjitha institucionet e famshme të shoqërisë. Sekti i revolucionarëve nuk do t'ju lejojë asnjë milimetër hapësirë të sigurt në jetën tuaj. Pushkët tona janë të mbushura dhe janë në këmbëz", thuhet në dokumentin prej shtatë faqesh. Grupi ekstremist u shpreh se ka informacione për lëvizjet e përditshme të disa gazetarëve të njohur dhe paralajmëron për sulme të mundshme ndaj policëve ose zyrtarëve të burgjeve që nuk respektojnë të drejtat e të burgosurve. I shfaqur në shkurt të vitit 2009, pas trazirave urbane të dhjetorit të vitit 2008, Sekti i revolucionarëve mori përsipër dje vrasjen e gazetarit grek Sokratis Giolias, më 19 korrik përpara shtëpisë së tij. Ai është vrarë me 16 plumba të hedhur nga dy armë të kalibrit 9 milimetër. Hetimi balistik i policisë tregoi se njëra nga armët ishte përdorur në qershor të vitit 2009 nga ky grup gjatë sulmit me automatik të një poste policie, që shkaktoi vdekjen e një oficeri të një njësie antiterroriste. Arma tjetër është përdorur në disa sulme të marra përsipër nga ky grup. /I.Pu.
KOMENTE