English

Kryeministri Berisha përcjell të parën njësi luftarake shqiptare në Afganistan

Tiranë, 28 korrik, NOA – Niset e para njësi ushtarake shqiptare me mision luftarak në Afganistan, 44 trupat nën emrin “Eagle I”.

Kryeministri Berisha mori pjesë në përcjelljen e kontingjentit “Eagle I” të batalionit special të Forcave të Armatosura, i cili përbëhet nga 44 trupa, që do të përfshihen në operacione luftarake në Kandahar, në Afganistan.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu bindjen se ky kontingjent, i cili është dhe njësia e parë, që niset me mision luftarak, do të përmbushë me sukses të plotë misionin që nis dhe me dinjitet do të mbajë lart flamurin e kombit shqiptar.

“Ne nisim anëtarët e Forcave të Armatosura në fushë betejën më të madhe, që kombet e qytetëruara, Aleanca e Atlantikut të Veriut ka ndërmarrë dhe vazhdon të ndërmarrë, në emër të lirisë, vlerave të saj, të sigurisë dhe paqes në botë”, tha kryeministri.

Ai iu drejtua trupave të parë me mision luftarak në këtë betejë për sigurimin e paqes dhe lirisë në botë me këto fjalë: “Ju, të dashur ushtarë, nënoficer, dhe oficerë, të grupuar në njësinë ‘Shqiponja’, niseni dhe do të merrni pjesë në veprime operative, krah për krah me ushtarakë të ushtrisë më të shkëlqyer të botës, ushtrisë amerikane. Me këtë rast, unë dua të falënderoj me mirënjohje qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të gjithë ndihmesën shumë të çmuar që na ka dhënë dhe na jep në përgatitjen tuaj. Por shpreh bindjen më të madhe se ju me dinjitet, me burrëri, me kurajë, do të mbani lart flamurin e kombit tuaj”, shprehu bindjen kryeministri.

Kryeministri theksoi se “qeveria është e vendosur të mbështesë Forcat e Armatosura dhe se dora - dorës, në kohërat që vijnë, të mund të shpaloset jo një njësi, por edhe një batalion krah aleatëve tanë, aty ku të jetë nevoja.

Në ceremoninë e zhvilluar në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, merrnin pjesë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, përfaqësuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Paul Poletes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Maksim Malaj, drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare, familjarë të komandove, etj.

Në fund të ceremonisë, Kryeministri Berisha i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të Kontingjentit të Parë luftarak, nënkolonel Dritan Demirajt, ndërsa bëri edhe një foto familjare me të gjithë njësinë e ushtarakëve.

mit/NOA
KOMENTE