English

Përcillet Me Ceremoni Kontigjenti Paqeruajtës Shqiptar Në Afganistan

TIRANË, 28 Korrik/ATSH-Anila Struga/.- Kontigjenti paqeruajtës "Eagle" i Forcave të Armatosura Shqiptare u nis sot me mision ushtarak në Afganistan për të marrë pjesë drejtpërsëdrejti në operacionet luftarake atje, përkrah forcave të tjera të Aleancës së Atlantikut Verior. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në mjediset e Qendrës Kulturore të Ushtrisë në Tiranë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Maksim Malaj tha se kontigjenti "Eagle" ka hyrë tashmë në historinë e angazhimeve mbi 15-vjeçare të Forcave tona të Armatosura, si njësia e parë që do të realizojë detyrën operative jashtë vendit". Ai tha se pjesëmarrja drejtpërsëdrejti në luftime e trupave shqiptare do të rrisë kapacitetin dhe nivelin operacional të angazhimit të tyre, ç'ka shënon hop të ri cilësor të pjesëmarrjes ushtarake në kuadër të Aleancës. "Ne jemi të ndërgjegjshëm për shkallën e lartë të vështirësisë që paraqet pjesëmarrja në një mision të tillë, por jemi të përgatitur për të përballuar me sukses sfidat që do të hasim gjatë kryerjes së detyrave tona dhe kjo mbështetet në nivelin e lartë të përgatitjes së ushtarakëve tanë", tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Arben Imami vlerësoi rëndësinë e detyrës që i është besuar trupave shqiptare. "Qeveria shqiptare me ndihmën e SHBA-në dhe aleatëve të tjerë kanë bërë maksimumin në përgatitjen e trajnimin e këtyre trupave. Ne jemi të angazhuar për t'iu përgjigjur përpjekjeve të koalicionit për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë në Afganistan, për t'ua kthyer vendin dhe qeverisjen popullit të këtij vendi", tha Imami. Të 44 trupat paqeruajtëse shqiptare do të angazhohen në misionin e tyre pranë ushtarakëve amerikane në zonën e Kandaharit në Afganistan./n.m/
KOMENTE