English

Aureta Thomollari: Shqiptarët dhe pse të varfër, vishen shumë bukur

Uashington, 29 korrik, NOA – Zili, mahnitje dhe admirim - janë ndjenjat e para që të ngjallen kur viziton Blogun e Aureta Thomollarit (www.aureta.typepad.com). Blog i cili është model frymëzimi, për mijëra njerëz, nga çdo skaj i rruzullit.

Me një finesë të habitshme, Aureta krijon një mbretëri të sajën, duke kombinuar me një shije unike dhe të papërsëritshme emrat më të mëdhenj të modës, Chanel,Oscar de la Renta, Fendi ,Louboutin, Gucci e Prada.

Veshjet, këpucët,bizhuteritë, që kjo vajzë aq bukur dhe me hije, transformon në një ansambël mahnitës, tërheqin çdo ditë me mijëra vizitorë. Shtypi amerikan thotë se kjo vajzë bukuroshe, e veshur kaq mrekullueshëm, meriton një vëmendje të veçantë për origjinalitetin e saj.

Aureta, në fjalët e saj, është një "sipërmarrëse, artiste, pilote, krijuese, bloger dhe udhëtare dhe që i pëlqen të shijojë gjërat e bukura në jetë".

Ajo është bashkë-themeluese e DNA Luxury Consulting.

Duke iu referuar revistës Washington Life , Aureta është një nga 250 njerëzit më me influencë në Washington D.C., nën moshën 40-vjeçare, dhe duke iu referuar revistës tjetër Fashion Washington Aureta është një nga 6 njerëzit e veshur më mirë po në Washington D.C. Këta janë vetëm disa shembuj të arritjeve të saj.

Duke folur ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve INA, Aureta thotë se “shqiptarët, pavarësisht nga gjendja ekonomiko-shoqërore, gjithmonë kanë qenë krenarë në paraqitjen e tyre, duke mbartur hijeshi, elegancë dhe sofistikim në veshje. Kjo mënyrë të menduari ka luajtur një rol kryesor për të.

E rritur në Tiranë, e cila në atë kohë ishte e virgjër nga influenca e reklamave dhe qendrave të mëdha tregtare, Aureta, ka pasur mundësinë, të krijojë identitetin e saj e painfluencuar, duke zhvilluar imagjinatën dhe duke e shprehur atë në kombinimin organik dhe shumë krijues të veshjeve. Aureta thotë se: "Unë jam edukuar të jem e pavarur, dhe të vetmet rregulla të modës për mua, ishin imazhet në mendjen time dhe mënyra se si unë luaja në mënyrë krijuese me to.

Kur dhe si e filluat këtë blog - www.aureta.typepad.com?

E nisa blogun në fund të dhjetorit 2009 dhe motra ime, ishte ajo që me inkurajoi për këtë ide. Në fillim, nisi si një projekt i thjeshtë, për të shprehur pasionin tim krijues, por shumë shpejt u transformua, në diçka shumë më të madhe. Çfarë ju jep më shumë kënaqësi përsa i përket blogut? Ajo që më shumë më pëlqen dhe që unë mendoj është më e rëndësishme në blogun tim, është fakti se kam nje mundësi të papërsëritshme, të frymëzoj, njerëz rreth e rrotull globit dhe të ushqej sadopak kreativitetin e tyre. Çka nisi si një shprehje e pasionit tim, tani ka mbërritur në mbi 100 vende të botës. Si është pritur në botën e medias dhe modës blogu juaj? Blogu është pritur shumë mirë, nga të gjitha mediat dhe outletet, aq mirë sa ka kaluar çdo parashikim timin dhe ka patur një interesim te jashtëzakonshëm. Shumë gazeta dhe revista kane folur për mua, Washington Life, Fashion Washington dhe The Examiner, janë disa shembuj të freskët. Sa keni arritur të futeni në botën shqiptare? Është pjesë e identitetit tim. Në vazhdën e të qenit një blog ndërkombëtar, një pjesë shumë të rëndësishme, zënë me mijëra shqiptarë ndjekës të përditshëm të blogut dhe kjo më kënaq dhe nderon në mënyrë të veçantë, sepse siç e thashë dhe më lart, çdo gjë nis me dashurinë dhe pasionin për të bukurën, që është brenda shpirtit të çdo shqiptari. Mirëpo më konkretisht, çfarë bën Aureta, të promovojë veshjen tonë, veshjen shqiptare? Pothuajse çdo ditë, marr mesazhe, ku njerëzit shprehen të habitur që unë jam shqiptare, por është shumë e rëndësishme për mua që njerëzit të shohin larminë e stilit në vendin tim. Çdoherë që më jepet mundësia, mundohem që të fut elemente të veshjeve karakteristike shqiptare. Dhe më besoni kur e them këtë; çdoherë që e kam bërë, njerëzit kanë reaguar të mahnitur, nga bukuria e kostumeve tona. Jam munduar të gërshetoj, elemente të historisë dhe folklorit tonë, me ç’është në fashion sot, me rezultate të mrekullueshme.

Kjo fillon që kur kam qenë e vogël. Gjithmonë, i kam pëlqyer rrobat dhe kisha dëshirë të vishesha bukur, me atë shijen që kisha si fëmijë kuptohet. Më pas prindërit, nuk kanë kursyer asgjë që të me kënaqnin, ata gjithmonë, para se të blinin diçka për mua, qëkur isha 6 vjeçe më pyesnin, mbasi e shikonin se unë e kisha pasion të madh veshjen dhe doja te zgjidhja. Kështu që-natyrisht edhe me moshën dhe ndryshimet e kohës në modë- unë kam ndjekur dhe zhvilluar pasionin tim për stilin. Mendoj se moda ka qenë brenda meje që ditën që kam lindur dhe unë i qëndroj besnike kësaj vlere të mbartur nga Shqipëria, duke qenë gjithmonë natyrale dhe origjinale dhe duke u munduar, të krijoj më të bukurën, në kombinimin e veshjeve tona tradicionale, me majat më të larta të modës. Ne shqiptarët, pavarësisht të pasur apo të varfër, dimë të vishemi bukur dhe me shije. Unë jam shumë krenare që jam shqiptare dhe që po bëj diçka, që më bën të ndjehem akoma më shumë pjesë e trashëgimisë se kombit tonë. Cila është e ardhmja e "Aureta's Blog”? Blogu im është një ditar i stilit, shijes dhe udhëtimit. Me rritjen e vizitorëve, e shikoj blogun të transformohet në një documentary style magazine, e cila do të përqendrohet, në frymëzimin e pasionit per stilin, shijen dhe luksin, në një mënyrë origjinale dhe të re. Cilat janë ëndrrat e Auretës? Të jetoj një jetë të gjatë, të lumtur, të suksesshme dhe glamorous me njerëzit që i dua! Përshkruani stilin tuaj: Stili im, është një përzierje gjendjesh shpirtërore, ndjesish,ngjyrash,gjurmësh dhe eksperiencash jete, është në të njëjtën kohë, plot jetë dhe i papërshkruajtshëm. Çfarë është me e preferuara e juaj "tek veshjet"? Adhuroj aksesorët dhe këpucët. Çfarë ju frymëzon për të vënë së bashku një veshje? Dëshira për tu shprehur dhe për te ekzaltuar të bukurën. Cili stil i një njeriu te famshëm ju pëlqen? Daphne Guinness Cilat janë dyqanet tuaja më të preferuara? Unë i bie botës kryq e tërthor, gjithashtu edhe për shopping, por këtu janë disa nga pikat e mia të preferuara : Maxfield, Colette, Webster dhe Dover Street. Cilin stil keni më "për zemër" (veçanërisht për bizhuteri dhe këpucë)? Delfina Delettrez, Victoire de Castellane, Patek Philippe, Natalia Brilli (bizhuteri), Hermes, Chanel, Alaia, Balmain, Gucci, Givenshi, Fendi, YSL (këpucë). Cili është mesazhi? Aureta Tomollari: Jetoje jetën te pakufishme dhe të mrekullueshme. Ji realist e kij besim tek vetja dhe mos kij frikë të shprehesh kreativitetin.

NOA-INA

KOMENTE