English

Kryebashkiaku i Brukselit: Investitorë belgë, duan të investojnë në Shqipëri

Bruksel, 29 Korrik, NOA – Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës në Mbretërinë e Belgjikës, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Bashkisë së Brukselit, Freddy Thielemans.

Ai i uroi mirëseardhjen kryeministrit Berisha dhe i bëri me dije se kishte vizituar Sarandën dhe Butrintin, e se gjatë vizitës së tij në Shqipëri kishte mbetur i impresionuar nga bukuritë e vendit tonë, duke i shprehur dëshirën për të vizituar sërish Shqipërinë dhe për ta njohur më mirë atë.

Ndërkaq, gjatë takimit me kryeministrin Berisha, kryetari i Bashkisë së Brukselit vlerësoi reformat ekonomike dhe kushtet jashtëzakonisht të favorshme për biznes e investime që qeveria shqiptare ka krijuar në vend, si dhe vuri në dukje interesin e shprehur nga kompani dhe investitorë nga Brukseli për të ardhur dhe investuar në Shqipëri.

Kryeministri Berisha u shpreh se çdo investitor është i mirëpritur në Shqipëri dhe se do të gjejë një klimë miqësore, një kuadër ligjor dhe fiskal ndër më të mirët në Evropë dhe një mik që është qeveria shqiptare.

Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha nënshkroi në librin e artë të Bashkisë dhe bëri një tur në këtë institucion, monument kulture në Bruksel.

n.e/NOA

KOMENTE