English

Okb - Ban Ki-Moon Do Të Marrë Pjesë Në Ceremonitë Për 65-Vjetorin E Hiroshimës Dhe Nagasakit

NJU JORK, 29 korrik /ATSH-AFP/ - Shefi i OKB-së Ban Ki-moon do të shkojë javën e ardhshme në Japoni për t'u takuar me kryeministrin Naoto Kan dhe do të marrë pjesë në ceremonitë për 65-vjetorin e bombardimit atomik të Hiroshimës dhe Nagasakit, njoftoi sot shërbimi i shtypit. Sekretari i përgjithshëm do të shkojë fillimisht në Tokio, ku do të takohet me Naoto Kan dhe me ministrin e Jashtëm,Katsuya Okada. Ai do të shkojë më tej në Nagasaki dhe Hiroshima, dy qytetet e bombarduara nga amerikanët në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kjo është hera e parë që një sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara merr pjesë në një ceremoni në Memorialin e Paqes në Hiroshima. Ban Ki-moon, i cili është nga Koreja e Jugut, do të vizitojë gjithashtu në të dy qytetet monumentet në kujtim të viktimave koreane të bombardimeve. Ai shpreson që vizita në Hiroshima dhe Nagasaki të tërheqë vëmendjen për nevojën urgjente për çarmatimin bërthamor në botë. Japonia është vendi i vetëm i goditur nga bombardime bërthamore. Bombardimet e 6 gushtit të vitit 1945 në Hiroshima dhe më 9 gusht në Nagasaki kanë shkaktuar rreth 210 000 viktima. /I.Pu.
KOMENTE