Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kategorizimi
English

Kategorizimi

Në Kosovë, kurrsesi nuk duhet të mjaftohemi duke ndryshuar vetëm gjendjen në të cilën jemi, por mbi të gjitha, duhet ndryshuar kategoria në të cilën na kanë futur. Kategorizimi i Kosovës si një vend jonormal por me situatë të mirë e të qetë, përkundër ndodhjes së saj përbrenda kategorisë së jonormalitetit dhe pikërisht për shkak të ndodhjes përbrenda kësaj kategorie, do të thotë që faktorët ndërkombëtarë besojnë që puna e Kosovës pret. Relaksimi dhe komoditeti me të cilin qeveritarët kosovarë i presin në vizita e takime ndërkombëtarët me gjasë atyre vetëm sa ua vërteton bindjen që çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve pret.

Nga Albin Kurti*

Nga pikëvështrimi ndërkombëtar Kosova është një vend i kundërt me Greqinë. Kosova gjykohet të ketë një gjendje të mirë brenda kategorisë së vendeve të krizës, kurse Greqia vlerësohet të jetë në gjendje krize brenda kategorisë së vendeve të mira, ku gjithsesi hyjnë vendet e BE-së. Pra, Kosova cilësohet si një rrëfim i suksesshëm porse në kategorinë e vatrave të krizës (ku na krahasojnë me Irakun, Afganistanin, Palestinën etj), ndërkaq Greqia e zhytur në krizë financiare dhe ekonomike tregohet si një rrëfim i dështuar në kategorinë e shteteve të përparuara e normale (ku ajo krahasohet me shtetet e tjera të BE-së). Faktorët ndërkombëtarë Kosovën e shohin si një vend jonormal me gjendje normale, ndërsa Greqinë si vend normal me gjendje jonormale.

Kjo është arsyeja pse këta faktorë mobilizohen për Greqinë, por jo edhe për Kosovën. Gjendja në Kosovë është shumë më e keqe sesa në Greqi (ndoshta me një përjashtim të vogël në borxhin publik), por këto dy vende me gjendje të ndryshme, në sytë e ndërkombëtarëve, para së gjithash, janë dy kategori të ndryshme. Gjendja e keqe në Kosovë është e mirë. Gjendja e mirë në Greqi është e keqe. Me gjendjen në Kosovë janë të kënaqur dhe nuk marrin mundin që ta përmirësojnë atë. Konferencën e donatorëve të para dy viteve dhe paratë e premtuara aty askush nuk i përmend më. Duke na krahasuar me Irakun, Afganistanin, Palestinën etj. ne nuk dalim keq, apo jo? Në anën tjetër, me gjendjen në Greqi janë të brengosur shumë dhe andaj u organizuan që t’i ndihmojnë asaj duke i dhënë miliarda euro. (Mbase është një çështje tjetër që po i ndihmojnë me borxhe për të dalë nga borxhet sipas praktikës së etabluar neoliberale ku sëmundja ofrohet si ilaç).

Këto dy kategori të ndryshme vendesh kanë ndikime të ndryshme në shtetet e fuqishme botërore. Ndikimet e ndryshme janë konstituive për kategoritë. Kategoritë dallohen sepse ndikimet dallohen. Përderisa çfarëdo anormaliteti në Greqi si një shtet normal i prek dhe shqetëson menjëherë shtetet kryesore të cilat nominalisht po ashtu i përkasin kategorisë së shteteve normale, anormaliteti në Kosovë si një shtet jonormal nuk mund të jetë befasues dhe mund të ketë vetëm ndikime dytësore e jo të drejtpërdrejta për ta.

Vatrat e krizës përgjithësisht vijnë në ekzistencë vetëm si problem. Bota merr vesh për to atëherë kur iu shpërthen kriza ose, në rastin më të mirë, atëherë kur forca të brendshme arrijnë ta problematizojnë krizën para se të shpërthejë ajo. Përndryshe, çështjet e vatrave të krizës presin. Fakti që ato janë në krizë nuk do të thotë se ka diçka urgjente aty. Fundja, kriza është vetë emri i kategorisë së cilës i përkasin ato.

Kategorizimi i Kosovës si një vend jonormal por me situatë të mirë e të qetë, përkundër ndodhjes së saj përbrenda kategorisë së jonormalitetit dhe pikërisht për shkak të ndodhjes përbrenda kësaj kategorie, do të thotë që faktorët ndërkombëtarë besojnë që puna e Kosovës pret. Relaksimi dhe komoditeti me të cilin qeveritarët kosovarë i presin në vizita e takime ndërkombëtarët me gjasë atyre vetëm sa ua vërteton bindjen që çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve pret.

Në këtë kontekst, problemet e Kosovës si stagnimi ekonomik dhe mjerimi social, sovraniteti dhe integriteti territorial, nuk do të merren asnjëherë seriozisht dhe as urgjentisht. Këto janë përmbajtja e krizës që paraqet kategorinë tonë. Vetëm në masën në të cilën këto rrezikojnë ta shpërthejnë krizën ato do të konsiderohen.

Kriza në Kosovë po thellohet dhe krejt çfarë duan ndërkombëtarët është që ajo të mos shpërthejë përkundër thellimit të saj. Situata në Kosovë është përherë e tensionuar dhe shpesh ndodhet para eksplodimit. Si në aspektin politik e të sigurisë po ashtu edhe në atë socio-ekonomik, Kosova i ngjan një fuçie baroti që sa vjen e rritet, që zgjerohet edhe në drejtim të shkëndijave që do ta eksplodonin, e nganjëherë duket që thuajse është në kërkim të këtyre shkëndijave. Mbase, atëherë kur shkëndija nuk shkon te baroti, është baroti ai që shkon te shkëndija.

Qeveria e Kosovës e ka pranuar plotësisht rolin e shkruar për qeverinë e një vatre të krizës. Ajo pak nga pak po e bën liberalizimin e vizave prioritet të politikës së saj. Në vend se t’iu garantojë qytetarëve liri në Kosovë, iu premton atyre liri nga Kosova, në formën e liberalizimit të vizave. Të gjithë e duan liberalizimin e vizave por duket që askush nuk e do këtë si vetë Qeveria. Nuk ka dyshim që liberalizimi i vizave është prioritet artificial. Po i pyete qytetarët e Kosovës se çfarë duan, para se të thonë se duan viza, ata të thonë që duan vende pune, integrim të veriut, shëndetësi e arsimim cilësor etj. Ata duan ta kenë mirë këtu, jo diku në perëndim. Ndoshta kanë më shumë shpresë për vendin sesa politikanët që thuhet se i përfaqësojnë.

Edhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë i përkufizon ky kategorizim i Kosovës si një vatër krize e cila, për pasojë, sundohet nga misioni i politikës së sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së i mirënjohur si EULEX. Faktorët ndërkombëtarë në vend se të angazhohen për atë që Serbia të mos e pengojë Kosovën në integrime botërore, ata më shumë angazhohen që Kosova të mos e pengojë Serbinë (si barrë legale e juridike) në integrime evropiane. Brengosen për atë se si Serbia e ka një fqinj jugor problematik, kur, në fakt, do të duhej të ishte e kundërta: Kosova e ka një fqinj shumë problematik verior i cili financon struktura paralele për t’ia rrënuar pavarësinë asaj.

Ndërkombëtarët edhe mund të mos na quajnë hapur vatër krize. Kur për një vend thuhet që është ‘në zhvillim’ atëherë ai është, në fakt, i pazhvilluar dhe vende të tjera e korporata të ndryshme po zhvillohen në kurriz të tij. Kur një vend thuhet se është ‘post-konflikt’, në fakt, mendohet e aludohet që në atë vend nuk janë eliminuar gjasat që të rinisë konflikti. Të qenit ‘në zhvillim’ dhe ‘post-konflikt’ sot është veçse eufemizëm për vatrën e krizës.

Tash 11 vjet jemi dëshmitarë se si shumica e zyrtarëve ndërkombëtarë të EULEX-it, UNMIK-ut, ICO-së e madje edhe ambasadave të huaja, fillimisht vijnë në Kosovë si njerëz shumë pozitivë e dashamirës dhe në fund largohen si famëkeq. Kosova i bën të tillë, ama jo Kosova jonë por Kosova e këtillë çfarë e kanë kategorizuar vetë ata, vetë shefat e tyre nga kryeqendrat botërore.

Në Kosovë kurrsesi nuk duhet të mjaftohemi duke ndryshuar vetëm gjendjen në të cilën jemi, por, mbi të gjitha, duhet ndryshuar kategorinë në të cilën na kanë futur.

* Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”

KOMENTE