English

Sport- Altin Lala Shpreson Të Rikthehet Në Fushat E Lojës Në Shtator

TIRANË, 30 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ - Mesfushori i kombëtares shqiptare dhe ish-kapiteni i Hanoverit, Altin Lala, shpreson t'u rikthehet fushave në muajin shtator. Lala është një nga veteranët e ekipit gjerman të Bundesligës 1 dhe pritet të rikthehet pas dëmtimit që pësoi në sezonin e shkuar. Mesfushori i kombëtares shqiptare, Altin Lala, zgjati vitin e shkuar deri në vitin 2011, kontratën me klubin gjerman "Hanover '96". Ish-kapiteni 34-vjeçar i Hanoverit, është një nga emblemat e skuadrës dhe një nga idhujt e tifozerisë së klubit gjerman. Mesfushori shqiptar militon me klubin gjerman që nga viti 1998, e mund të vendosë një rekord absolut te Hanover, pasi deri në vitin 2011, do të jetë i vetmi lojtar që ka luajtur për 13 vjet me radhë te ky ekip pa asnjë ndërprerje. Lala numëron deri tani 161 ndeshje me fanellën e Hanoverit, por gjatë sezonit të fundit për shkak edhe të dëmtimeve të shumta ka luajtur në vetëm 12 takime. Altin Lala është kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit. 34-vjeçari ka luajtur deri tani 71 ndeshje ndërkombëtare, dy më pak se ish-portieri Foto Strakosha. Ky i fundit mban edhe rekordin për numrin më të madh të përfaqësimeve me fanellën kuqezi. Altin Lala ka luajtur vetëm me tri skuadra gjatë karrierës së tij të gjatë futbollistike. E nisi me Dinamon në Tiranë, për të vazhduar më pas te Borusia Fulda në Bundesliga 2. Për klubin e tij aktual, Hanoverin, luan që nga viti 1998. Në shtator, kombëtarja shqiptare do të zhvillojë dy sfida të rëndësishme për eleminatoret e Kampionatit Evropian 2012. Shqipëria do të luajë ndaj Rumanisë dhe Luksemburgut dhe Lala pritet të jetë një forcë me tepër në mesfushëne trajnerit Josip Kuzhe. /a.ke/
KOMENTE