English

Ulqini, Zgjedhje E Pushuesve Dhe Botuesëve

-Në ditën e dytë të Panairit të Librit Shqip "Ulqini 2010" promovohet vepra e shkrimtarit Besnik Mustafaj, i ftuari special i edicionit të dhjetë të këtij panairi - ULQIN, 30 Korrik/ATSH- Flora Nikolla/- Kanë qenë të shumtë vizitorët e moshave të ndryshme që janë interesuar dhe kanë blerë librin shqip në panairin e hapur prej tre ditësh përgjatë plazhit të vogël në Ulqin, qyteti malazez i banuar nga shumica shqiptarë. Dashamirësit e librit kanë treguar interes më së shumti për letërsinë artistike të autorëve shqiptarë dhe të huaj, por edhe për botimet enciklopedike dhe ato për fëmijë që janë ekspozuar në stendat e panairit tradicional të Ulqinit, që organizohet për të dhjetin vit me radhë, në ditët e fundit të muajit korrik. Vizitorët e panairit janë kryesisht pushues që preferojnë bregdetin e Ulqinit, qyteti i lashtë ilir që numëron 40 mijë banorë, por që në ditët e verës ky numër arrin në 100 mijë banorë. Pushuesit nga Kosova, Maqedonia, por edhe shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës ku jetojnë dhe punojnë, kanë shfaqur interes dhe për fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, albume e katalogë, etj. "Shumë prej vizitorëve kanë preferuar të blejnë një sasi të konsiderueshme librash", shprehen përfaqësuesit e shtëpive botuese, pjesëmarrëse në stendat e këtij panairi që do të mbyllet në 4 gusht. Në panairin veror, i ndërtuar buzë plazhit të vogël në qytetin e lashtë të Ulqinit rreth 40 shtëpi botuese, nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por edhe nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike, kanë ekspozuar të paktën 20 mijë tituj librash, nga të cilat mbi 500 tituj të rinj. Panairi i Librit në Ulqin organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë me mbështetjen e komunës së Ulqinit dhe qeverisë së Malit të Zi. Tashmë një panair tradicional, ai konsiderohet nga organizatorët si një ngjarje e madhe kulturore, që ndihmon në afrimin e botës shqiptare. ****************** Në ditën e dytë të panairit, në prani të një auditori me shkrimtarë dhe botues të shumtë, u promovua vepra e të ftuarit special të këtij edicioni, shkrimtarit të njohur Besnik Mustafaj, botuar nga shtëpia botuese Toena. Kritiku i njohur, Josif Papagjoni, pasi përshëndeti dhe një herë vijueshmërinë e organizimit të këtij aktiviteti mbarëshqiptar, i bëri një analizë veprës letrare të Mustafaj, duke nënvizuar veçantinë e stilit të tij narrativ, jo vetëm në romane, por kryesisht në gjithë veprën e tij ku përfshihen dhe esse. Përmendet këtu romani "Daullja prej letre", "Vera pa kthim", "Fletorja rezervat", "Legjendja e lindjes sime". Vepra e Mustafaj, cilësoi kritiku i njohur, dallohet për metaforën, ashtu si dhe për groteskun, një mjet shumë i gjetur nga autori duke pasur parasysh se edhe vetë jeta në ditët që jetojmë është e mbushur me grotesk. Sipas tij, Mustafaj, dallohet për një stil të ri të të shkruarit, duke krijuar kështu një individualitet në letërsinë shqipe. Ndërsa shkrimtari i njohur, ish-ministër i Jashtëm dhe ish-ambasador në Francë, jashtë formalizmave, foli për auditorin duke kujtuar momente jetësore personale nga koha kur nisi të shkruaj, ashtu sikundër tregoi dhe ditët e tij të pas politikës, të mbushura tashmë me letërsi që ai shkruan. "Nuk do të kisha mundur të shkruaja asnjëherë kaq shumë, sikur të vazhdoja të merresha me politikë" u tha të pranishmëve Mustafaj, i cili viziton për herë të parë qytetin e Ulqinit. Ai kujtoi rastin e një romani të tij, të cilin kishte filluar ta shkruante në vitin 1998 dhe e kishte përfunduar vetëm pak kohë më parë. Nuk i ka munguar natës së dytë të panairit dhe çelja e një ekspozite fotografike, që i bënte një retrospektivë këtij aktiviteti shumë dimensional nga viti i parë i themelimit deri më sot. Duket se nga periudha kur në kufirin Mali i Zi-Shqipëri nuk lejohej të hynte qoftë dhe një libër shqip kanë kaluar shumë kohë. Integrimi kulturor duket se i ka paraprirë shumë më shumë integrimit politik dhe ekonomik dhe sikundër është konfirmuar shumë herë kultura duket se është pararendëse e gjithë zhvillimit të shoqërisë. /k.sh/
KOMENTE