English

Sarande: Plazhet E Jonit, Me Shume Siguri Nga Motorret E Ujit

SARANDË, 31 Korrik/ATSH-Telnis Skuqi/ - Bashkërendimi i punës mes nënprefekturës së Sarandës dhe njësive të qeverisjes vendore në Bashki dhe komunat e Ksamilit e Lukovës ka rritur sigurinë nga motorrët e ujit për cilindo që dëshiron të kalojë pushimet në bregdetin e Jonit. Gjergji Mano, nënprefekti i Sarandës, pohoi sot për ATSH-në se, "në bashkëpunim me policinë e rendit dhe me njësitë vendore me përparësi turizmin, ka përfunduar tërësisht rrethimi i plazheve publike dhe frekuentuesit nuk do të shqetësohen apo të rrezikohen nga rreth 70 motorrët e ujit". Gjatë gjithë kësaj periudhe janë ushtruar mbi 20 kontrolle në bregdet për situatën e sigurisë në plazhe, tha Mano, duke garantuar se asnjë pushues vendas apo i huaj nuk do të ndihet i frikësuar nga lundrimi i motorrëve të ujit. Sipas tij, nëse konstatohen shkelje të rregullores së qarkullimit detar, automatikisht pronarit i bllokohet automjeti lundrues dhe i hiqet licenca për një vit. Saranda shtrihet në ekstremin më jugor të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 749 km2 e popullsi 35235 banorë. Në aspektin administrativ rrethi përfshihet në Qarkun e Vlorës. Gjatësia e përgjithshme e vijës bregdetare që laget nga deti Jon është 66,7 km. Pozita e favorshme gjeografike dhe dalja e gjerë në detin Jon e Mesdhe, afërsia me ishujt Jonianë si një nga pikat më të frekuentuara turistike, bukuritë e relievit dhe pasuritë e shumta historike e kulturore, e bëjnë Saranden tepër të favorizuar për zhvillimin e turizmit në raport me rajonet e tjera të vendit tonë. Hartimi i strategjive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe me pikësynime afatgjata nga ana e qeverisjes qendrore e lokale, si dhe mbështetja e bashkëpunimi i komunitetit, do të bëjnë që ky rajon të përballet me sukses në konkurrencën e tregut turistik të Mesdheut e më gjerë. /a.ke/
KOMENTE