English

Takimi i Rrugorëve: Askush s’do të ketë pushtet mbi policin

Gjirokastër, 31 korrik, NOA - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Vullnet Topalli, ka zhvilluar një takim me efektivin e Njësisë Rajonale për Sigurinë Rrugore.

Qëllimi i këtij takimi ishte njohja nga afër me efektivat e qarkullimit rrugor, njohja me problematikën dhe për të parë funksionimin e kësaj strukture të re.

Në takim, morën pjesë efektivat e qarkullimit rrugor të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Sarandës dhe Delvinës si dhe shefi i Njësisë Rajonale për Sigurinë Rrugore të Gjirokastrës, kryekomisar Latif Kulla.

Topalli, në fillim të fjalës së tij ka shpjeguar arsyet e krijimit të kësaj strukture të re, i cili ka theksuar dy arsye dhe konkretisht, se “për të ulur numrin e aksidenteve rrugore, si dhe për të shmangur korrupsionin në radhët e efektivave të Policisë së Shtetit”.

Më tej, ai ka shprehur mbështetjen e tij për efektivat e qarkullimit të cilët do të zbatojnë ligjin, do të shmangin ndërhyrjet dhe abuzimet nga këto ndërhyrje, që nuk do të stepen nga njerëzit me pushtet, apo nga ata që hiqen si të fortët që qarkullojnë me xhama të zinj dhe i bëjnë presion policit, duke i garantuar.

“Askush s’do të ketë pushtet mbi policin, në rast se polici zbaton ligjin dhe vetëm ligjin”, tha ajo.

Topalli ka kërkuar më pas që policët rrugorë të rrisin forcën goditëse ndaj çdo shkeljeje të Kodit Rrugor dhe sidomos ndaj atyre që përdorin pije alkoolike dhe qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilët bëhen burim i aksidenteve dhe marrin jetë njerëzish.

n.e/NOA

KOMENTE