English

Njohjet e Kosovës, të funksionojë demokracia parlamentare

Prishtinë, 1 gusht, NOA – “Duhet të aktivizohet demokracia parlamentare, presidenti dhe kryeministri, pasi aktivizimi i të gjithë mekanizmave kushtetues do ta ndihmonte shumë më tepër lobimin për Kosovën dhe rritjen e numrit të njohjeve”.

I këtij mendimi është ministri i Kulturës dhe deputeti Lufti Haziri, i cili duke iu referuar fushatës së ndërmarrë nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se “lobimi për pavarësinë e Kosovës kërkon angazhimin edhe të parlamentit, pasi sipas Hazirit, kështu Kosova do të mund të ndikonte edhe mbi pesë shtetet e BE-së që ende s’e kanë njohur Kosovën, si psh. Greqia, theksoi ai, e cila është shtet me ndikim dhe që mund të ndikojë edhe tek shtetet e tjera”.

Ky lobim për Pavarësinë e Kosovës, erdhi menjëherë pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila shpalli se Pavarësia e Kosovës është e drejtë dhe në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare.

Për këtë qëllim, ministri i Jashtëm, i Kosovës, Skënder Hyseni, ndodhet prej disa ditësh në Nju Jork, në përpjekje për të siguruar njohje të reja të Kosovës, përpara mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet në shtator. Por, nënkryetari dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, nënvizon se lidhur më çështjen e lobimit, mosangazhimi i deputetëve në politikën e jashtme është një dobësi e parlamentit.

Isufi, kërkoi, që në këtë çështje duhet një koordinim më i mire, i cili do të mundësonte, që ekipe të caktuara nga parlamenti të vizitonin dhe të lobonin në vendet, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë Kosovës.

Sipas dy politikanëve, në këtë ofensivë diplomatike të Kosovës, që mbështetet fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkohet shumë më tepër transparencë dhe angazhim, ndaj ata janë të mendimit se nuk po shfrytëzohet të gjitha kapacitetet e Kosovës.

Sipas deputetit, Isufi, mund të ndihmojnë në këtë ofensivë edhe personalitete, të cilët dhanë kontributin e tyre në arritjen e pavarësisë së Kosovës.

Por, me dy politikanët kosovarë, ndajnë të njëjtin mendim edhe analistët në Prishtinë, të cilët thonë se duhet të aktivizohet sa më shpejt tërë diplomacia parlamentare, pasi Kosova nuk ka arritur numrin e mjaftueshëm të njohjeve.

mit/NOA

KOMENTE