English

Fatmir Xhafaj: Do përballemi deri në fund për transparencën e zgjedhjeve

Tiranë, 3 Gusht, NOA – “Pala jonë nuk ka reshtur edhe në këto ditë vere përpjekjet për të arritur në një zgjidhje. Ne jemi të shqetësuar për nevojën, për domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës. Natyrisht ne jemi dhe të prokupuar për të respektuar kërkesat e partnerëve dhe në mënyrë të veçantë rezolutën e PE-së. Në këtë kontekst edhe gjatë këtyre ditëve kemi bërë hapa konkretë”.

Kështu është shprehur sot sekretari për Çështjet Ligjore dhe Koordinimin në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, gjatë një interviste për disa media.

Për të arritur një reformë në drejtësi, më parë duhet të arrihet një marrëveshje midis opozitës dhe mazhorancës. Në cilin stad janë negociatat, kjo është një periudhë marrje kohe, apo ka negociata në distancë?

Është një pyetje e drejtë, në momentin e duhur, pasi në mediat vizive dhe në gazeta ishte zhvendosur nga vëmendja kjo çështje. Kjo, sepse na doli propozimi bombastik për të mbledhur parlamentin në seancë të jashtëzakonshme. Këta nuk janë realisht seriozë! Thonë që Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën. Nëse ka shkelur rëndë Kushtetutën, do të thotë që Presidenti duhet të përgjigjet. Ose këta janë fare të papërgjegjshëm kur bëjnë të tilla deklarata ose e gjitha kjo është një bllof.

Duhet ta shkarkojnë?! Atëherë të mbledhin parlamentin në një seancë të jashtëzakonshme, ta artikulojnë, të bëjnë “impiçmënt” për Presidentin e Republikës dhe të vazhdojnë. Por, kjo është shashka e radhës që është përdorur vetëm për një qëllim të vetëm, duan të largojnë vëmendjen. Të largojnë vëmendjen nga kriza, që është politike, është për institucionet administrative në këtë vend, është krizë për drejtësinë, është krizë ekonomike para se të gjithash.

Këta duan ta largojnë vëmendjen që përditë e më shumë kanë futur duart në xhepat e shqiptarëve, dhe nga fakti se kanë nisur të rëndojnë xhepat e tyre. I kanë lënë shqiptarët me 1.8 euro që të mbajnë për vete 1.8 milionë euro.

Kryeministri në vend të reagojë për një akuzë të rëndë që i është bërë ministrit të tij, duhet të ketë burrërinë të dalë e të thotë që ministri im nuk ka përgjegjësi,ministri im ka vepruar drejtë, akuzat janë të pathemelta e të ngarkojë institucionet përkatëse, po çfarë bën?! Fillon të ngrejë gjithë këtë tym, të hedh këtë shashkë që ta turbullojë mjedisin politik dhe të mos i përgjigjet pikëpyetjes.

Tjetër, zoti kryeministër ka një Rezolutë të PE e cila thotë as më shumë e as më pak, në mënyrë të përmbledhur që kërkon zgjidhje të krizës politike në vend. Është e thënë në mënyrë shumë të qartë.

Së dyti, kërkon që për zgjidhjen e kësaj krize një nga gjërat që duhet të bëjnë palët në Shqipëri, është të hetojnë mbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. E kërkon shprehimisht rezoluta, pika 5 e kësaj rezolute e kërkon në mënyrë eksplicite kur thotë, duhet në mënyrë të menjëhershme të ngrihet një komision hetimor parlamentar për hetimin zgjedhjeve të 2009. Ky komision të ketë shumicën opozitare, të drejtohet nga opozita, të ketë në fokus hetimin e materialeve elektorale. Thotë edhe një gjë tjetër që është shumë interesante, (që e medias mund t’i ketë shpëtuar në mënyrë të pavetëdijshme,) që duhet të përfundojë sa më shpejt puna e këtij komisioni në mënyrë që përfundimet e tij të jenë bazë për reformën zgjedhore të pritshme, bazuar dhe në gjetjet e OSBE-ODIHR. Pra, e kushtëzon bërjen e reformës me nevojën e rezultateve të këtij komisioni hetimor parlamentar. Në vend që të përgjigjet, kryeministri, në vend që të përgjigjet zonja Topalli, që e mbylli këtë sesion në mënyrën më të turpshme të mundshme, për respektimin e kësaj rezolute hedhin shashka të kësaj natyre, për shkeljen e presidenti etj.

Një nga qëllimet është për të zëvendësuar interesin e opinionit publik, interesin e partnerëve, interesin e opozitës për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Më duhet të përgjigjem drejtpërdrejtë që ne jemi iniciator dhe kemi ndihmuar në mënyrë aktive në procesin e negociatave, i cili ka patur dy raunde takimesh mes kryetarit të grupit parlamentar të PS dhe grupit parlamentar të PD, të mandatuar personalisht nga kryeministri në një mbledhje të grupit të tyre.

Të dy të mandatuarit e forcave politike kanë biseduar dhe kanë arritur në një nivel të caktuar duke pranuar një sërë elementesh të rëndësishëm për ngritjen e komisionit hetimor dhe mënyrën sesi do të funksionojë ky komision.

Nuk mund të them se dhe nga pala jonë ka reshtur edhe në këto ditë vere përpjekja për të arritur në një zgjidhje. Ne jemi të shqetësuar për nevojën, për domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës. Natyrisht ne jemi dhe të prokupuar për të respektuar kërkesat e partnerëve dhe në mënyrë të veçantë rezolutën e PE-së. Në këtë kontekst edhe gjatë këtyre ditëve kemi bërë hapa konkretë. Gjatë këtyre ditëve zoti Ruçi i ka ofruar zotit Patozi propozime konkrete, se cilat janë ato dhe sesi do reagojë kreu i grupit të PD-së, nuk më takon mua t’i them dhe kërkojnë konfidecialitetin e nevojshëm. Ne dhe sot në momentin që po flasim nuk rreshtim së kërkuari një zgjidhje me propozime konkrete.

Ajo që më shqetëson dhe mua në gjithë këtë është se ka një mungesë morali në politikën shqiptare, veçanërisht në atë të mazhorancës. Ajo që ndodhi me SHBA-në kërkohet tani të bëhet me BE-në. Me SHBA-në ndodhi që një ditë të bukur na morën përdore dhe na futën në NATO. Këtë e dinë dhe e pranojnë të gjithë, na futën në kampin e madh të NATO-s. Ishte një gjë e madhe për shqiptarët, e minimumi ne duhet të thonim faleminderit. Po, ne nuk pritëm të thahej dhe boja, të ikte dhe freskia e shtrëngimit të duarve, e një ditë të bukur ju thamë SHBA-ve që ne nuk kemi më nevojë për këshillat tuaja se dimë të luajmë vetë ndryshe. Minimumi është një mungesë morali politik. Së dyti tregon një lloj qasje negativiste me partnerët. Nga ana tjetër në këndvështrimin tim ka dhe një komponent tjetër. I shkon kundër një cilësie të njohur të shqiptarëve, mirënjohjes. Shqiptarët i kanë qenë gjithmonë mirënjohës miqve për ndihëm që ju kanë dhënë. Kjo që po bën politika shqiptare është mungesë mirënjohjeje për ndihmën që ju kanë dhënë, për mbështetjen, për kontributin dhe nuk ka arsye pse t’i shkojë kundër një tradite të vyer të vetë shqiptarëve.

Kjo gjë po ndodh edhe me BE. Dua të them se nuk po ndodh ashtu siç thotë mazhoranca, më saktë kryeministri. Ka pasur negociata intensive ne Bruksel dhe Strasburg përpara se të arrinim deri këtu. Kreu i Partive Popullore të PE erdhi në Tiranë, por jo vetëm për të bërë kortezinë ndaj mikut Berisha. Erdhi në mënyrën më të ndershme për t’i thënë që unë po vij e po ta them këtu, që nesër kur ta shikosh në rezolutë mos të çuditesh. Atë që ata vetë e kishin hedhur në tavolinë nuk e kishte pranuar qeveria.

Është një qëndrim i i definuar ndaj tre faktorëve të rëndësishëm të BE. Së pari nga PE me të gjitha grupet parlamentare, ku për këtë amendament kanë votuar të gjitha grupet parlamentare të majtë, të djathtë dhe të qendrës. Së dyti një qëndrim i definuar nga KE dhe së treti nga Këshilli i Ministrave të BE-së. Janë të tre institucione që kanë patur, për hir të së vërtetës së madhe, përfaqësuesit e tyre në negociatat që janë bërë nëpërmjet ekspertëve të PS dhe PD që janë dërguar në Strasburg dhe në Bruksel.

Erdhi momenti që politika evropiane, institucionet evropiane në të tre këto dimensione thanë “mjaft” dhe vendosën në rezolutë detyrimin e politikës shqiptare, detyrimin e mazhorancës që të ulet me opozitën dhe të gjejnë një zgjidhje. Ajo që po ndodh është mungesa e respektit, mungesa e vlerësimit dhe mungesa e mirënjohjes me faktin që mazhoranca nuk ka munduar as ta zërë në gojë këtë rezolutë.

Ju kujtohet ditën e parë zonja Topalli e priti me duartrokitje të mëdha faktin që ishte miratuar rezoluta, sapo mori vesh se çfarë kishte në rezolutë e harroi rezolutën. Nga dita që është bërë ajo rezolutë e deri më sot nuk ka asnjë reagim të kësaj mazhorance për detyrat e shtëpisë. Detyra kryesore e shtëpisë është natyrisht ngritja e komisionit hetimor parlamentar. Ne jemi gati edhe sot ta mbledhim parlamentin, ta votojmë të fillojë punën komisioni hetimor edhe në kushtet e këtij sezoni të nxehtë vere, që megjithatë nuk po e lë të ftohet mendja e kryeministrit Berisha dhe zonjës Topalli.

Ngërçi politik qëndron pikërisht tek fletët e votimit. Ju a keni ofruar një zgjidhje për komisionin?

Po, ia kemi ofruar. Bën pjesë në atë paketë propozimesh që ne i kemi bërë mazhorancës edhe për këtë çështje. Nuk është ndonjë sekret ta them sepse kjo ka qenë pjesë edhe e vetë atyre propozimeve që ka bërë grupi tresh i BE-së, pra përfaqësuesit e PE-së, komisionerit Fyle dhe zonjës Ashton. Pra, të tre këta përfaqësues të këtyre institucioneve kanë artikuluar një zgjidhje dhe për të. Ne gjithashtu e kemi mbështetur këtë dhe e kemi bërë pjesë të projektit të propozimeve tona drejtuar kundërshtarëve tanë politik.

Unë kam bindjen se problemi nuk qëndron tek fakti që nuk gjendet një zgjidhje. Problemi qëndron tek fakti që kryeministri nuk e dëshiron transparencën e zgjedhjeve. Kryeministri është në të kundërt me qëndrimin e jo thjesht të PS, jo thjeshtë të opinionit publik, jo thjesht të mediave në Shqipëri, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, sepse kryeministri nuk e do të vërtetën. Nuk e do të vërtetën se do të vjedhë prapë.

Euro-parlametarët kanë vendosur në rezolutë kushtëzimin me zbardhjen e të vërtetës për zgjedhjet e 2009 për reformën për zgjedhjet e 2011-tës. Pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të 2009-tës nuk mund të ketë zgjedhje të lira në 2011-tën.

Kanë arritur ta kuptojnë tashmë që “mbreti është lakuriq”, ata e thanë tashmë që mbreti është lakuriq. Kjo është e vërteta dhe ata kanë arritur ta kuptojnë këtë fakt, që ky njeri nuk mund të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme nëse nuk rregullon disa rregulla e nëse nuk pranon të vërtetat cilado qofshin ato, të mira apo të hidhura për zgjedhjet e kaluara.

Nuk është e rastësishme kjo lidhje me hetimin zgjedhjeve të 2009 me reformën për zgjedhjet e 2011-tës. Këtu problemi ka zgjidhje dhe ne i kemi propozuar zgjidhje. Kemi propozuar pak a shumë ato gjëra që ka artikuluar publikisht zoti Berisha, por nuk i do se nuk do të vërtetën e zgjedhjeve të 2009-tës. Sepse zbardhja e të vërtetës së zgjedhjeve të 2009-tës minimumi, minimumi do të çonte në shtëpi ata që kanë vënë duart në zgjedhje. Minimumi do ti çonte në shtëpi, minimumi nuk do të ishin më ata pjesë e çdo procesit të administrimit zgjedhor. Minimumi do të fillonte të krijonte detyrimin, respektin ndaj ligjit elektoral dhe ndëshkimit ndaj cilitdo që do guxonte të vinte dorë në to. Kryeministri nuk e do këtë gjë, është fare e thjeshtë sepse nuk matet dot me ne një proces të ndershëm zgjedhor. Ka frikë të përballet me ne në një proces të ndershëm zgjedhor. Ka vetëm një rrugë të mbajë pushtetin e klanit të tij politik, të vërë dorë në procesin zgjedhor, se nuk di të bëjë gjë tjetër mesa duket. Nëse ai do të reflektojë ne jemi këtu.

Si do të avanconi nëse kryeministri nuk do të ndryshojë drejtim?

Ne këtu jemi. Një vit më parë na thonin jeni të marrë për këtë që po bëni. Dalëngadalë, jo ju, po disa media të tjera, disa opinion bërës jo vetëm që erdhën me ne, jo vetëm që ju bashkuan këtij qëllimi fisnik tonit për të bërë transparencën e një procesi zgjedhor, po sot janë mbështetësit tanë kryesorë. Të njëjtën gjë kishim dhe me partnerët. Pse? Sepse kishin të drejtë, se njerëzit e mirë nuk mendojnë që vidhen zgjedhjet, vota është e shenjtë. Nuk e mendojnë njerëzit e mirë, njerëzit e këqij e mendojnë dhe e bëjnë. Por, erdhi një ditë që njerëzit e mirë kuptuan që i keqi është aty nuk ka lëvizur. Ne po mundohemi ta luftojmë me të gjitha mjetet e mundshme.

Jo atë si individ, jo atë si frymor, por dorën e tij politike, qëllimet e tij të mbrapshta dhe të liga.

Nëse i keqi nuk tërhiqet ju si do reagoni?

Do përballemi deri në fund. Hap pas hapi.

NOA

KOMENTE