English

Emocionet e një muaji

Ky është një muaj i bekuar ku jetohen me emocion katër kushte të Islamit. Në këtë muaj adhurimet shtohen (namazi, dhikri, sadakaja, Kur’ani, meditimi etj.) dhe këndimi, leximi e studimi i Kur’anit duhet të dominojë më shumë se kurrë. Myslimanët e parë e shtonin këndimin e Kur’anit në Ramazan

Nga Bujar Spahiu*

Njëra prej të mirave të panumërta që na ka favorizuar Allahu Dhurues e Bamirës, është edhe Ramazani, muaj i bekuar për myslimanët. Muaji i Ramazanit është muaji i nëntë në kalendarin islam.

Ky është muaji kur ndahen e drejta nga e shtrembra, e mira nga e keqja, rruga e drejtë me devijimin.

Ramazani vjen me rrjedha kuptimesh dhe emocionesh, që ujisin zemrat e thara dhe të etura, duke e favorizuar botën e brendshme të njerëzve për kuptime dhe koncepte të reja. Në ditët, orët dhe minutat e këtij muaji të bekuar, zemrat arrijnë kaq thellësi shpirtërore dhe bëhen aq të kthjellta, sa që njerëzit kurrë nuk dëshirojnë të largohen nga atmosfera e kësaj paqeje.

Pikërisht këtë nënkupton edhe fjala e Profetit Muhamed (s.a.s.) kur thotë: “Sikur ta dinin njerëzit se ç’është muaji i Ramazanit do të dëshironin që i gjithë viti të ishte Ramazan”.

Në muajin e Ramazanit njeriu furnizohet për të gjitha ditët e vitit, për këtë arsye Profeti (a.s.) para se të fillonte muaji i Ramazanit i tubonte shokët dhe u fliste për vlerat e këtij muaji.

Ky është një muaj i bekuar ku jetohen me emocion katër kushte të Islamit. Në këtë muaj adhurimet shtohen (namazi, dhikri, sadakaja, Kur’ani, meditimi etj.) dhe këndimi, leximi e studimi i Kur’anit duhet të dominojë më shumë se kurrë. Myslimanët e parë e shtonin këndimin e Kur’anit në Ramazan.

Po të jetë se drita e Kur’anit dhe qytetërimi që sjell ai, të depërtonte në shpirtin e kësaj bote të ngulfatur nga problemet e shumta e të shumëllojshme, me siguri fati dhe ardhmëria e njerëzimit do të ndryshonte tërësisht, sepse parimet që sjell Islami janë në gjendje të caktojnë diagnozën e sëmundjeve dhe të krizave të sotme të botës dhe të gjejnë mjekimin e duhur.

Profeti Muhamed (s.a.s.) në lidhje me agjërimin dhe Kur’anin thotë: “Edhe agjërimi, edhe Kur’ani, ditën e Kiametit do të ndërmjetësojnë për besimtarin. Agjërimi do të thotë: Zoti im! Unë agjëruesin e pengova ditën nga të ngrënët, të pirët dhe nevojat e tjera të natyrshme; pranoma ndërmjetësimin për faljen e tij! Edhe Kur’ani kështu do të thotë: Zoti im! Unë kënduesin e pengova natën nga gjumi dhe pushimi; jepmë leje të ndërhyj për faljen e tij! Pas pranimit të këtyre lutjeve të agjërimit dhe Kur’anit, do të pranohet edhe ndërhyrja e tyre në favor të besimtarit” (Ahmed b. Hanbel, el-Musned).

Gati çdo natë në Ramazan është shumë më e thellë se netët e tjera dhe me dimensione të përtejme; ndërsa ditët me atë maturinë dhe ngjyrat goditëse ndjehen si një atmosferë sinjifikuese e vullnetit dhe durimit.

Shpirtrat e agjërueshëm, sikur përgatiten çdo natë për një takim të ri, të emocionuar deri në ngazëllim, të sjellshëm në masë dhe të edukuar deri në habi, trokasin në dyert e mëshirës dhe shpresës.

Në fytyrat e tyre shfaqen njëherësh modestia me seriozitetin, siguria me brengën, sundon të qenit që e mënjanon bindshëm të dukurit. Zemrat u rrahin me dashuri, para së gjithash për të Dashurin e vetëm të zemrës së tyre, e më pas, po për hir të Tij, për çka Ai ka krijuar.

Kush të dojë, edhe në Ramazan madje, le të ulet e të ngrihet me smirë e urrejtje, kush të dojë të turbullohet përballë të vërtetave të besimit dhe Islamit, kush të dojë le të mallkojë dritën, kush të dojë t’i shpallë luftë mirënjohjes, tolerancës; ndërsa neve Ramazani, me gjithë dritën dhe forcën magjepsëse që zotëron, na pëshpërit me zërin shpresëdhënës pasuritë tona shpirtërore, traditën tonë të hershme; na pëshpërit dhe shpirtrat tanë të uritur i ngop me sofrat e begata, ndërsa përballë shpirtrave të errët, qëndron i hapur dhe, duke i shkrirë urrejtjet e armiqësitë vazhdon të na freskojë me flladin e Xhenetit.

Me të vërtetë që ky muaj është një pastrim për njeriun nga ndotësitë e mëkateve që ka bërë gjatë gjithë vitit, pasi agjërimi në Ramazan është si një dush shpirtëror, në të cilën njeriu hyn një herë në vit, për të larë njollat e mëkateve të tij, e për të dalë prej tij më pas krejtësisht i pastër! Këtë thotë edhe hadithi i Pejgamberit (a.s.): “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe bindje, i falen të gjitha mëkatet e tij” (Buhari-Muslim).

Mbarë myslimanët, të rinj e të vjetër, gra e burra, të pasur e të varfër, të shëndetshëm e të sëmurë, drejtues e të drejtuar, nëpunës e tregtarë, vijnë e bashkohen në klimën zbutëse, formuese e të magjishme të Ramazanit... e me një përzemërsi, pastërti e ngrohtësi ndajnë së bashku një lumturi që vetëm krijesat qiellore e njohin.

Madje, në të shumtën e rasteve, ai ka një ndikim të pabesueshëm edhe mbi masat e njerëzve që duken të pafatë, të mjerë e të shkretë.

Është e pamundur të mbetesh indiferent përballë Ramazanit që përfshin çdo gjë! Ramazani, sidomos zemrat e hapura ndaj pafundësisë, i magjeps aq shumë, ndikon aq thellë, saqë vetëm atë dëgjojnë, atë mendojnë dhe atë ëndërrojnë!

Për të vëmendshmit e këtij muaji, iftaret përmbushen me ndjenjën e adhurimit dhe thuajse bashkëngjiten me teravitë; syfyret ndërthuren me namazin e natës dhe marrin pjesë prej afrimit me Mëshirëplotin.

Rrugët mbushen me udhëtarët e xhamive, faltoret oshtijnë si Qabja me tekbirë; rrugët, pazaret sikur kthehen në faltore; dhe faltorja vetë shndërrohet në Qabe. Çdo zë, çdo lëvizje, çdo hap dhe çdo veprimtari në këtë muaj, na kujton Ramazanin në mënyrën e vet. Ndërsa ne mundohemi ta përjetojmë atë thellë në gjoksin tonë, ai, me momentet më të zjarrta na dhuron dashuri, përkushtim dhe emocion... duke i ofruar shpresë e vullnet etjes së zemrës sonë, ai i rikthen gëzimin syve të përlotur dhe buzëqeshjen fytyrave të brengosura.

Prandaj, ne nuk duam aspak që Ramazani të largohet; ne nuk duam por, sikurse çdo gjë që vjen duhet të ikë kur t’i vijë koha, edhe ai, si një i ftuar gëzimsjellës vjen e pasi qëndron njëfarë kohe largohet...dhe pas tij, vjen Bajrami si kurorëzuesi i vetëm i gjithë pasurive të këtij muaji magjepsës...

?* Nënkryetar dhe Drejtor i Arsimit në KMSH

KOMENTE