Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Daniel Serwer: Rezoluta 1244 për Kosovën, e tejkaluar
English

Daniel Serwer: Rezoluta 1244 për Kosovën, e tejkaluar

Uashington, 11 Gusht, NOA – “Mendoj se Rezoluta 1244 është e tejkaluar nga ngjarjet. Procesi politik, i paraparë me 1244-shin, për vendosjen e statusit final, ka ndodhur”, thotë Daniel Serwer, nga Instituti për Paqe i Shteteve të Bashkuara, me seli në Uashington.

“Mendoj se pjesa tjetër e botës me të vërtetë e ka humbur shumë durimin me refuzimin e Serbisë, për gjërat që i dinë shumë mirë, por nuk mund t’i pranojnë për qëllimet e brendshme politike”, pohon ai.

Z.Server, tani e kemi situatën, ku, me gjithë mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, Serbia dhe aleati i saj, Rusia, ende në mënyrë të fuqishme e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Tash, Beogradi ka propozuar një rezolutë për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Si e shpjegoni ju tërë këtë situatë? Mendoj se Beogradi është në mohim të asaj se çka ka ndodhur. Ajo që ka ndodhur është se pozicioni i Beogradit ishte i bazuar në joligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë. Gjykata këshilloi se asgjë nuk ishte e paligjshme. Kjo me të vërtetë i shkatërroi bazat e pozicionit të Serbisë, por kjo nuk do të thotë se Serbia duhet menjëherë ta njohë Kosovën. Kjo do të thotë se pozicioni i Serbisë, i bazuar në joligjshmërinë, ishte i gabuar. Mendoj se Beogradi është ende në mohim të asaj që ka ndodhur. Po çka mund të thoni lidhur me propozim-rezolutën e re të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së? Nuk e kam studiuar propozim-rezolutën e Serbisë në Kombet e Bashkuara. Secila rezolutë, për të arritur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duhet të kalojë nëpër proces të negociatave. Mendoj se pjesa tjetër e botës me të vërtetë e ka humbur shumë durimin me refuzimin e Serbisë, për gjërat që i dinë shumë mirë, por nuk mund t’i pranojnë për qëllimet e brendshme politike. Nuk e di se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara, por mendoj se amerikanët duhet të jenë të pakënaqur me dështimin e Beogradit që ta shfrytëzojë avantazhin e mundësisë, që e ofron opinioni këshillëdhënës i GJND-së, për ta rivlerësuar pozicionin e tyre. Para disa ditësh, ministri i Jashtëm i Kosovës ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së ndryshim të Rezolutës 1244. Disa analistë thonë se ky ishte gabim, pasi opinioni i GJND-së ishte se pavarësia e Kosovës nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244. Çka mendoni për këtë çështje? Mendoj se Rezoluta 1244 është e tejkaluar nga ngjarjet. Procesi politik, i paraparë me 1244-shin, për vendosjen e statusit final, ka ndodhur. Përfundimisht, jam i sigurt se Këshilli i Sigurimit do të dëshirojë ta ndryshojë 1244-shin, ose të miratojë rezolutë të re. Megjithatë, mendoj se ende nuk ka ardhur koha, por e kuptoj shumë mirë se përse shteti sovran nuk do të jetë plotësisht i kënaqur me Rezolutën 1244. Mendoj se Kosova është shtet sovran. Pas vendimit të GJND-së, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se do të kërkojë pavarësi të plotë, pasi, siç tha ai, pavarësia e mbikëqyrur është afër fundit. Sipas jush, a është Kosova e gatshme për pavarësi pa mbikëqyrje? Pyetja nuk është se sa është e aftë, por çka është në interesin më të mirë për Kosovën dhe kosovarët. Më duket se, për momentin, është me rëndësi që ri-integrimi, e veçanërisht ai i veriut, të ndodhë para se mbikëqyrja ndërkombëtare të largohet plotësisht. Është me rëndësi të kuptohet se mbikëqyrja ndërkombëtare në një masë është ngarkesë, e ndoshta edhe e padëshirueshme për ata që dëshirojnë ta kenë shtetin e tyre. Por, aspektet e tjera të saj janë shumë të dobishme dhe mendoj se prania ndërkombëtare duhet dhe mund të kontribuojë në ri-integrimin e veriut, pasi mendoj se ri-integrimi do të jetë shumë i vështirë, e ndoshta i pamundshëm pa praninë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Prishtina dhe Beogradi për të biseduar për çështje praktike. Në këto kushte, a mendoni se është e mundshme të organizohen bisedime të tilla? Mendoj se po dhe kjo është e dëshirueshme. Problemi që e shoh është se pothuajse secila çështje praktike mund të konsiderohet si ngritje e çështjes së statusit. Unë kam bërë shumë trajnime për negociata në Serbi dhe në Kosovë dhe e di se pothuajse çdo çështje, nëse doni, mund të kthehet te statusi. Por, ka ende shumë çështje sa i përket shtetësisë, ambientit, energjisë, ujit, që duhet të zgjidhen ndërmjet dy fqinjëve. Asgjë nuk mund ta ndryshojë gjeografinë në rastin e Kosovës dhe Serbisë, sepse ato gjithmonë do të mbeten fqinje dhe duhet të mësohen se si t’i zgjidhin këto probleme. Sinqerisht, preferoj që ato të zgjidhen me biseda direkte Beograd-Prishtinë. Shumë njerëz nuk pajtohen me mua, pasi mendojnë se kërkohet edhe prania ndërkombëtare. Por, mendoj se bisedat direkte Beograd-Prishtinë janë mënyrë e mirë për të ecur.

Radio “Europa e Lirë”

KOMENTE