English

Meta-Al Chami: Të shtohen investitorët libanezë në Shqipëri

Bejrut, 11 Gusht, NOA – Së afërmi, do të mblidhet komisioni i përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik mes Shqipërisë dhe Libanit, me qëllim shtimin e numrit të investitorëve libanezë në Shqipëri.

Një fakt i tillë u bë me dije gjatë takimit që zv/kryeministri Ilir Meta zhvilloi në Bejrut me homologun e tij libanez, dr.Ali Hussein Al Chami, gjatë vizitës së tij zyrtare në Liban.

Bëhet me dije se gjatë takimit, të dy homologët shkëmbyen mendime mbi rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh, i cili do të konkretizohet së shpejti me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme në fushën ekonomisë me heqjen e taksimit të dyfishtë, nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, në fushën e kulturës, turizmit, mjekësisë, një protokoll të posaçëm bashkëpunimi mes ministrive të Punëve të Jashtme, heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit, si dhe mbajtjen e konsultimeve periodike diplomatike mes dy MPJ-ve.

Meta e njohu homologun libanez me rolin në rritje dhe politikën konstruktive të Shqipërisë në rajon, veçanërisht pas anëtarësimit në NATO, ecurinë në procesin e integrimit evropian, si dhe pjesëmarrjen aktive në organizatën e Bashkimit për Mesdheun dhe Aleancën e Qytetërimeve, ku të dy vendet janë anëtare.

Ndërsa, ministri i Jashtëm i Libanit vlerësoi nivelin e bashkëpunimit dypalësh dhe garantoi për gatishmërinë e palës libaneze për nxitjen e tij të mëtejshme.

Chami e njohu Metën me zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe vlerësoi qëndrimin konstruktiv të Shqipërisë në favor të një zgjidhjeve paqësore të tij, në përputhje me angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, rezolutat e OKB-se dhe qëndrimet e BE-së.

n.e/NOA

KOMENTE