Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Vlado Popovski: Marrëveshja e Ohrit, 'Ilindeni i tretë'
English

Vlado Popovski: Marrëveshja e Ohrit, 'Ilindeni i tretë'

Shkup, 11 gusht, NOA - Vlado Popovski, një nga pjesëmarrësit në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit, thotë se kjo marrëveshje duhet të konsiderohet si një nga datat më të rëndësishme historike për Maqedoninë.

Duke iu referuar dy datave të tjera të rëndësishme për krijimin e Maqedonisë, që njihen si 'dy Ilindenë", zoti Popovski, ish-ministër i mbrojtjes dhe i drejtësisë, thotë për BBC-në se Marrëveshja e Ohrit duhet të jetë "Ilinden i tretë".

Ai, megjithatë, thekson se edhe pse ka sjellë qetësimin e marrëdhënieve ndëretnike, zbatimi i saj ka vonesa që vijnë edhe për shkaqe praktike, por edhe për shkak të politizimit të madh duke e përdorur si mekanizëm për luftë politike.

Profesori jurist dhe historian Vlado Popovski, në prag të nëntë vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, thotë se ajo është "themeli i qëndrueshmërisë së Maqedonisë".

Si e vlerësoni faktin që Marrëveshja e Ohrit edhe pas nëntë vjetësh nuk është zbatuar dhe thuajse në të gjitha raportet ndërkombëtare ende përmendet si një nga kushtet që Maqedonia duhet të përmbushë që të përparojë në rrugën e integrimeve?

Vlerësime të tilla vijnë sepse Marrëveshja e Ohrit është komplekse dhe ka detyrime që nuk mund të realizohen shpejt. Për shembull, përfaqësimi i drejtë në administratë është një proces që do të marrë, siç edhe po merr, disa vjet. Pra, këto vlerësime vijnë për shkak të natyrës së zgjidhjeve që jep marrëveshja.

Por, nga ana tjetër është fakt se Marrëveshja e Ohrit qetësoi marrëdhëniet ndëretnike dhe ndryshoi strukturën e pozitave ndëretnike sa i përket pushtetit. Për shembull, para vitit 2001, komunitetet jo shumicë, sidomos shqiptarët, përfaqësoheshin në adminisratën publike 4-5 %, në polici 1,5% kurse në ushtri 2,5 %.

Kurse tani të dhënat thonë se në administratë janë 16-17%, në Ministrinë e Mbrojtjes 21-22%, pra përparimi është i madh. Sigurisht, duhet të ketë rezervë dhe duhet thënë se me siguri mund të arrihej më shumë, edhe përfaqësim më i madh edhe realizim më i shpejtë. Mund të thuhet, gjithashtu, se financat publike mund të akordohen në mënyrë më të përqendruar për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, sepse ajo përbën themelin e qëndrueshmërisë së Maqedonisë si një shoqëri shumë-etnike.

Z. Popovski, pas 9 vjetësh, që është një periudhë e gjatë, a mendoni se mosrealizimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është për shkak të mungesës së vullnetit politik, paaftësisë së administratës, apo është peng i politikës, i të gjithë spektrit, pasi të gjitha partitë kanë qenë në opozitë dhe qeveri gjatë kësaj kohe?

Ka dy aspekte: e para kufizimet që ka shteti sjellin ngadalësimin e zbatimit të marrëveshjes. Buxheti është i kufizuar dhe prej tij varen punësimet që të zbatohet përfaqësimi i drejtë, ose përdorimi i plotë i gjuhëve të komuniteteve joshumicë, për çka duhen punësime të reja.

Së dyti, nuk mendoj se elita qeverisëse (maqedonase), cilado qoftë ajo, as LSDM-ja dhe as VMRO DPMNE-ja, kur kanë qenë në pushtet, kanë qenë të përqendruara plotësisht ndaj Marrëveshjes së Ohrit. Mendoj se ka pasur një përqendrim mesatar ndaj Marrëveshjes së Ohrit. Kjo ka ardhur edhe për shkak jo vetë të mungesës së financave, por edhe elementeve zhvillimore.

Republika e Maqedonase është vendi i fundit në Ballkan me investime të huaja, kemi një zhvillim të ngadaltë të ekonomisë. Gjithashtu, ka edhe një paqartësi sa i përket integrimeve euro-atlantike. Pra, Maqedonia po mbetet prapa të gjitha vendeve në Ballkan. Kjo bën që për shkak të mungesës së dy komponentëve; zhvillim ekonomik dhe integrime të përshpejtuara, të vijë ngadalësimi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Gjithë barra për realizimin e saj bie në buxhetin e shtetit që është i kufizuar, por edhe marrëdhëniet që krijohen nga politika e brendshme mes partive politike.

Por, këto argumente nuk legjitimojnë dot politikën për mosrealizimin e Marrëveshjes së Ohrit, sidomos për politizimet që i bëhen?

Po është e vërtetë. Marrëveshja e Ohrit është tejet e politizuar. Ajo u shndërrua, nëse mund të thuhet, në një instrument jo vetëm për kritikë mes qeverisë dhe opozitës, por edhe nxitëse e fjalorit të urrejtjes.

Në bllokun maqedonas kjo është mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, kurse tek shqiptarët mes PDSH-së dhe BDI-së. Pushteti në Maqedoni përqendrohet vetëm rreth financave publike dhe buxhetit dhe prandaj kritika është radikale ndaj Marrëveshjes së Ohrit sepse ajo jep një mundësi të mirë për sulm. Në këtë mënyrë Marrëveshja e Ohrit po shndërrohet në një pikë ku përqendrohet jo vetëm stabilizimi i marrëdhënieve ndëretnike, por edhe lufta mes partive politike.

Po çfarë duhet bërë, sipas jush, atëherë profesor Popovski?

Qetësimi duhet të ndodhë sipas meje në dy drejtime. I pari është përqendrimi direkt i qeverisë, kushdo që do të jetë në krye të saj, me programe vjetore dhe me prioritet kryesor zbatimin e detyrave dhe qëllimeve të Marrëveshjes së Ohrit.

Drejtimi i dytë është tejkalimi i problemeve reale të ekonomisë dhe të aspiratave të Maqedonisë drejt institucioneve euro-atlantike. Kështu do të qetësohet i gjithë konteksti dhe Marrëveshja e Ohrit do të bëhet një nga elementet që do të lidhë së bashku marrëdhëniet ndëretnike, por edhe marrëdhëniet sociale dhe politike. Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të përdoret si instrument për luftë partiake, por duhet të vlerësohet si themel i qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të shëndoshë të Maqedonisë.

Z. Popovski, ju konsideroheni si mbështetës i Marrëveshjes së Ohrit, një nga hartuesit e saj dhe shpesh flisni, si dhe tani, për rëndësinë që ka ajo për zhvillimin e Maqedonisë. Por, përshtypja është se subjektet politike, sidomos ato maqedonase, nuk e shohin atë si të tillë?

Mendoj se Marrëveshja e Ohrit mori legjitimitet tek komuniteti shqiptar dhe bashkësitë e tjera joshumicë, por në hapësirat maqedonase kishte një bazë më të ulët legjitimiteti, duke marrë parasysh rrethanat se si u arrit. Por tani rreth 60 - 65 % e maqedonasve mendojnë se Marrëveshja e Ohrit është kyçe për mbijetesën dhe qëndrueshmërinë e Maqedonisë. Pra ajo ka marrë legjitimitet.

Por, mund të vihet re se në mesin e bllokut të partive maqedonase, ato përparësi kanë detyra të tjera, ajo zbatohet por nuk është në vend të parë ose në qendër të interesit dhe aktiviteteve të faktorëve politikë maqedonas.

Tani përmendet shpesh një segment tjetër i marrëveshjes, aksesi tek financat publike. Për këtë çështje ka debate, por është fakt se në Marrëveshjen e Ohrit thuhet se veç ndryshimeve ligjore dhe ndryshimeve në strukturat e institucioneve, si shtyllë themelore thuhet se janë barazia dhe aksesi i barabartë tek financat publike.

Kjo gjë është kusht për materializimin dhe zbatimin e aspekteve të tjera të Marrëveshjes së Ohrit. Ky aspekt ishte lënë pak anash sepse fokusi ishte tek ndryshimi i ligjeve, por ky aspekt tani po bëhet më i rëndësishëm. Ai duhet të hapet dhe diskutohet me gjithë rëndësinë që ka, me sinqeritet, pa manipulime me synimin për realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Z. Popovski, muaji gusht është tejet i rëndësishëm për historinë e Maqedonisë. Janë shënuar dy festa kombëtare që njihen si “dy Ilinden-ët” dhe që kanë ndodhur të dyja më 2 gusht, e para ka të bëjë me rezistencën ndaj perandorisë otomane dhe e dyta me krijimin e Maqedonisë, siç njihet sot pas luftës së dytë botërore. A duhet që edhe Marrëveshja e Ohrit të trajtohet me një rëndësi më të madhe historike?

Unë mendoj se Marrëveshja e Ohrit është një "Ilinden i tretë" dhe se është një sintezë e “dy ilindenëve" të tjerë. Ajo lidhet me frymën e Manifestit të Republikës së Krushevës, (në fillim të shekullit 19) dhe me rezolutat e mbledhjes së ASNOM-it (Kuvendi antifashist për çlirimin e Maqedonisë pas luftës së dytë botërore), ku barazia e popujve ishte themel i ndërtimit të shtetit të Maqedonisë.

Kur u krijua Republika e Krushevës, kishte numër të barabartë përfaqësuesish etnikë në qeverinë dhe në kuvendin prej 60 vetësh. E njëjta gjë në Kuvendin e ASNOM-it, ku shqiptarët dhe turqit flisnin në gjuhën e tyre dhe duartrokiteshin nga të gjithë.

Unë mendoj se për Maqedoninë nuk ka model tjetër, madje Marrëveshja e Ohrit përputhet në mënyrë tejet koherente edhe me politikat e BE-së. Prandaj sa më shpejt që të kuptohet kjo, aq më shpejt do ta afirmojmë si "Ilindenin e tretë" dhe si një nga hapat më të rëndësishëm, madje përfundimtarin, për stabilizimin e Republikës së Maqedonisë si shtet.

BBC

KOMENTE