English

Luhatje e çmimit të drithrave pas ndalimit të eksporteve nga Rusia

Moskë, 12 Gusht, NOA –Në Rusi vazhdojnë djegiet e sipërfaqeve të tëra. Kjo ka pasoja për ekonominë, sepse aty ku ka zjarr nuk rritet më gruri. Prandaj Vladimis Putin vendosi javën e kaluar ndalimin e eksporteve të drithërave.

Asnjë kokër gruri nuk duhet të dalë nga Rusia, në mënyrë që çmimet të mos rriten aq sa rusët të mos blejnë dot ushqime. Analistët e lëndëve të para thonë se gjendja nuk është aq dramatike. Në një afat të mesëm çmimet janë të qëndrueshme dhe pritet madje të ulen.

"Ajo që ne shohim këtu është një paralele me vitin 2008. Të gjithë mbajnë mend se në atë kohë u fol me të drejtë për krizë botërore të ushqimeve. Në atë kohë Australia, prodhuesi më i madh i grurit pati thatësirë për një kohë të gjatë dhe prodhimi ra. Kështu që dhe tani duhet të druhemi jo vetëm prej rritjes së çmimit të grurit, por edhe të ushqimeve, çmime që edhe tani janë shumë të larta".

Rritje e papërballueshme çmimesh?

Ralf Südhoff është i alarmuar. Zëdhënësi i Programit të Kombeve të Bashkuara për ushqimin, trembet se ushqimet nuk do të mund të blihen më prej të varfërve. Dy vjet më parë kjo ndodhi. Një miliardë njerëz të botës vuajtën në atë kohë nga uria. Kjo nxiti trazirat sociale në vendet e hemisferës së Jugut.

Faktikisht, çmimi i grurit u rrit të premten e kaluar (06.08) në SHBA në nivelin më të lartë të dy viteve të fundit. Një shinin (35 litra) kushtoi 8,41 dollarë. Ky çmim ishte dyfish më i lartë se muajin e kaluar. Kjo shkaktoi rënien më të madhe të kursit në 14 vitet e fundit. Të hënën në mëngjes një shinin kushtonte vetëm 6,85 dollarë dhe çmimi mbeti në nivel të ulët. Një shenjë e sigurt për spekullimet me çmimet, thotë Gabor Vogel, analist i lëndëve të para në DZ Bank (Deutsche Zentral-Genossenschaftsbank).

Spekulantët në punë

"Ndryshimet e çmimit në mbi shtatë dollarë, kanë të bëjnë me spekullantët. Çmimi i ndershëm i grurit është tek 6 dollarët. Çmimi 8,40 dollarë ishte i tepruar".

Vogel është i sigurt se kësaj here është ndryshe nga kriza e 2008-ës. Atëherë çmimi i grurit arriti 13 dollarë për shini.

Vogel mendon se ka mundësi që duke pasur parasysh klientët që ka Rusia mund të ndryshojë vendimin që ka marrë për ndalimin e eksporteve.

Çmimet e larta të ditës së premte nuk kanë pasur të bëjnë me parashikimet për të korrat më të mira të drithrave në SHBA dhe Australi. Australia është eksportuesi i pestë për nga madhësia i drithrave në botë, kurse SHBA eksportuesi më i madh. Në të dy vendet fermerët njoftojnë për kushte optimale të korrash: "Edhe nëse eksportet ruse ndalohen, vakumin e krijuar mund ta mbulojë menjëherë SHBA."

Vogel nuk pret rritje të çmimit të drithrave. Në SHBA një shinin kushton 7,31 dollarë dhe sipas analistëve të lëndëve të para, çmimi ka mundësi që të bjerë edhe më shumë.

Deutsche Welle

KOMENTE