English

Gjeneral Petreus: Nuk garantoj tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani në gushtin e 2011-ës

Washington, 15 gusht, NOA – Kreu i forcave ushtarake në Afganistan, gjeneral David Petreus deklaroi se nuk garanton tërheqjen e trupave amerikane në datën e caktuar nga presidenti amerikan Barak Obama.

Gjenerali Petreus vë në dyshim datën e largimit të trupave amerikane nga Afganistani.

Duke folur për rrjetin televiziv NBC, kreu i ushtrisë amerikane bëri të ditur se ka të drejten t’i thotë presidentit Obama nëse data e tërheqjes nga Afganistani është e parakohshme ose jo.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë që ushtria amerikane ka pësuar humbjet më të mëdha, që prej nisjes së misionit të saj në Afganistan, në vitin 2001.

Sipas BBC, misioni në Afganistan ka qenë i vështirë dhe për këtë arsye presidenti Obama ka vendosur si datë përfundimtare për tërheqjen nga ky vend, gushtin e vitit 2011.

Gjenerali Petreus mori komandën e forcave shumëkombëshe në Afganistan para 1 muaji, pas largimit të gjeneralit MakKristal, i cili bëri komente fyese për presidentin Obama.

Në deklaratën e tij gjenerali Petreus bëri të ditur se me presidentin Obama kishte një bisedë pozitive, ndërsa lidhur me largimin e trupave nga Afganistani, ai tha se kjo do të varet nga situata në Afganistan.

mit/NOA
KOMENTE