English

Kosovë, Daçiç: Rezoluta serbe kundër Kosovës në OKB, mund të ndryshojë

Graçanicë, 15 gusht, NOA – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, gjatë vizitës së sotme në Kosovë, e mbikëqyrur nga policia e Kosovës, tha se draft-rezoluta kundër shtetësisë së Kosovës, të cilën Serbia e ka dërguar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas prezantimit të mendimit të GJND-së, mund të pësojë ndryshime në javët e ardhshme.

Por, Daçiç nënvizoi se në dokumentin në fjalë, nuk do të lejohet të përmendet si fakt, pavarësia e Kosovës. Ekziston mundësia që ne ta përmirësojmë tekstin e projektrezolutës, por nuk mund të pranojmë, që në tekstin e saj, pavarësia të përmendet si fakt i kryer”, mësohet të ketë deklaruar ministri i Brendshëm i Serbisë.

Daçiq me deklaratat e tij ka ripërsëritur qëndrimin e vendosur të Serbisë për zhvillimin e bisedimeve, mes Kosovës dhe Serbisë, që sipas Daçiç do t’i zgjidhjes së problemeve të qytetarëve serbë e shqiptarë, por edhe të çështjeve të hapura politike.

“Është realiteti politik. Ju e dini që Kosova dhe gjithë Serbia ishin të pushtuara për shumë shekuj, është ndryshuar struktura etnike e popullsisë. Shqiptarët nuk duan të jetojnë në Serbi. Serbët, që jetojnë në kushte specifike, në enklava apo në veriun e Kosovës, thjesht nuk duan të jetojnë në njëfarë shteti të pavarur të Kosovës”, tha Daçiç.

Sipas tij, një numër i shteteve të mëdha, e të fuqishme e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por një numër shtetesh pa pajtimin e të cilave Kosova nuk mund të jetë pjesë e OKB-së, nuk e kanë njohur, gjë që nënkupton sipas ministrit serb, se bisedimet duhet të vazhdojnë.

Vizita për qëllime fetare e Ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç, u realizua me një leje të marrë nga autoritetet e Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Daçiç, mbështeti kritikat e peshkopit Teodosje sa i përket vendimit të misionit të NATO-së në Kosovë për kalimin e kompetencave për mbrojtjen e manastireve te policia e Kosovës.

Daçiç kërkoi në këtë kontekst implementimin e pjesës së rezolutës 12 44, që parashikon kthimin e forcave serbe në Kosovë, për të mbikëqyrur manastiret serbë në shtetin e Kosovës.

mit/NOA
KOMENTE