English

PDU: Në protestën e Himarës ishin anëtarë të organizatës terroriste SFEVA

Tiranë, 18 gusht, NOA - Partia për Drejtësi dhe Unitet (PDU), ka reaguar ashpër sot në lidhje me debatin që ka nisur në vend pas vdekjes në aksident të dyshimtë, të 35 vjeçarit Aristotel Guma. Në një deklaratë për mediat, PDU kërkon nga të gjitha palët që të respektojnë vdekjen e viktimës dhe dhimbjen e familjarëve dhe të mos e politizojnë çështjen.

Duke shprehur ngushëllimet për vdekjen e Aristotel Gumës, PDU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, kërkon nga organizata OMONIA dhe kryepeshkopi Anastasios Janullatos që të mos reagojnë "në mënyrë të papërgjegjshme". Por deklarata e PDU-së shkon dhe më tej duke akuzuar se në protestën e zhvilluar në Athinë kanë qenë të pranishëm emigrantë që janë pjesë e një organizate që njihet si terroriste dhe mban emrin SFEVA.

“Fakti, që drejtuesit kryesorë të bllokimit të rrugës, ishin emigrantë të rikthyer, të njohur si anëtarë të shoqatës greke SFEVA, që lufton për të ashtuquajturin “Vorio Epir” na bën të dyshojmë për arsyet e vërteta të protestës”, thuhet në deklaratën PDU-së.

SFEVA është një organizatë që në programin e saj ka si qëllim kryesor bashkimin e atij qe konsiderohet prej tyre Vorioepiri, me Greqinë.

Nga ana tjetër Partia për Drejtësi dhe Unitet shprehet se është e shqetësuar për reagimet e tipit nacionalist të drejtuara nga qarqe të minoritetit grek në Shqipëri, “por edhe qarqe nacionaliste greke, të cilat cenojnë rëndë institucionet e pavarura shqiptare”.

PDU ka kërkuar vetëpërmbajtje nga “drejtuesit e organizatave të minoritetit grek dhe kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare”.

a.k/NOA

KOMENTE