English

Akuzat e PS, reagon METE: Nuk ka shkelje në procedurat e dhënies së koncesioneve për HEC-et

Tiranë, 23 gusht, NOA – Në përgjigje të akuzave nga selia rozë për shkelje nga ana e ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës në dhënien e koncesioneve për HEC-e, për të cilat PS kërkoi transparencë të të 200 lejeve të dhëna gjatë këtij viti, sekretari i Përgjithshëm i dikasterit të Ekonomisë, Durim Kraja deklaroi se nuk ka asnjë shkelje në dhënien e koncesioneve.

Kraja nënvizoi se të gjitha procedurat e ndjekura nga ana e ministrisë kanë qenë të rregullta dhe nuk është abuzuar me tenderat në dhënien e tyre.

Duke iu referuar akuzave sekretari i METE-s, Durim Kraja apeloi që Partia Socialiste të ankohet për faktet e saj dhe t’i paraqesë ato pranë organeve të drejtësisë.

Lidhur me procedurat për dhënien me koncesion të hidrocentralit mbi lumin Kardhiq, sekretari i Ministrisë së Ekonomisë theksoi se koncesioni në fjalë ka përfunduar brenda dy viteve, duke nënvizuar se hidrocentrali i Kardhiqit pritet të shtojë prodhimin e energjisë në vend, ndërsa shtoi se do të vijojë edhe projekti për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël.

Reagimi nga ministria e Ekonomisë vjen pas një lumi akuzash të bëra nga Partia Socialiste sa i përket procedurave për dhënien me koncesion të shumë hidrocentraleve Arian Tartarit, bashkëjetuesit të deputetes demokrate Albana Vokshi, përfaqësues i “Stream Oil” në Shqipëri, procedura për të cilat deputeti Erion Braçe për disa ditë me radhë ka kërkuar transparencë të plotë, duke i konsideruar si procedura abuzive dhe në shërbim të familjes në pushtet.

mit/NOA

KOMENTE