English

Deklarata e METE, reagon PS: Politika po përdor nëpunësit civilë

Tiranë, 23 gusht, NOA – Pas deklaratës së ministrisë së Ekonomisë, rishtas ka reaguar Partia Socialiste, duke deklaruar se “politika dhe ata që janë në krye të aferave korruptive po përdorin nëpunësit civilë me qëllim që të mos japin shpjegime për akuzat e bëra me fakte”.

Ky reagim i deputetit Artan Gaçi erdhi pas daljes së sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së Ekonomisë, Durim Kraja, i cili u ka dhënë përgjigje kërkesave të PS-së, në emër të ministrit Dritan Prifti.

Deputeti socialist, theksoi edhe njëherë kërkesën e bërë nga selia rozë për ministrin Prifti, që “Ne kemi një kërkesë dhe një këshillë për këtë zotëri, që të bëjë publike kontratën e koncesionit për lumin Kardhiq”, një koncesion i dhënë për aferat e deputetes Albana Vokshi dhe bashkëjetuesit të saj, Arian Tartari.

“Le ta publikojë atë kontratë, të plotë, e pastaj të na thotë sa hidrocentrale do ndërtohen dhe cila është firma përfituese”, tha zoti Gaçi.

Ai këshilloi sakaq sekretarin e Përgjithshëm të METE-s, që të mos përdoret politikisht nga eprorët e tij, por “Të shohë punët e shtetit e të mos mbrojë verbërisht korruspionin e ministrit të tij, të deputetes Vokshi dhe familjes në pushtet”, përfundoi deputeti socialist, Artan Gaçi.

mit/NOA
KOMENTE