English

Sejdiu: Qeveria e Kosovës të ndihmojë Pakistanin

Prishtinë, 23 gusht, NOA - Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka kërkuar nga Qeveria që ta ndihmojë popullin e Pakistanit, që po përballet me përmbytjet shkatërruese. Sejdiu ka kërkuar nga qeveria të shqyrtojë mundësinë që nga buxheti i Kosovës t'i ndahet një ndihmë financiare Pakistanit.

Kërkesa e presidentit i është dërguar sot kryeministrit Hashim Thaçi.

“Kërkoj nga ju, që në emër të Qeverisë dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës, në shenjë solidariteti njerëzor, të shqyrtoni mundësitë që nga Buxheti i Republikës së Kosovës t’i alokoni një ndihmë financiare popullit të Pakistanit”, thekson Presidenti Sejdiu në letrën që i dërgoi sot Kryeministrit Thaçi.

Përmbytjet në Pakistan kanë shkaktuar një katastrofë të vërtetë humanitare. Shumë vende të botës dhe shtete të fuqishme ekonomike kanë dhënë ndihma për kapërcimin e situatës. Deri më sot llogaritet se Pakistanit i janë premtuar 800 milionë dollarë ndihma për rindërtimin.

a.k/NOA

KOMENTE