English

Bashkia: “Përrallë me lejet e ndërtimit”, pushteti nuk ka prova, por vetëm baltë

Tiranë, 24 gusht, NOA – Në vijim të përgjigjes së saj për akuzat mbi lejet e ndërtimit që PD ka ngritur kundër kryebashkiakut Edi Rama, Bashkia e Tiranës deklaroi se sot ka depozituar 6 kallëzime të tjera në prokurori dhe Gjykatë për shpifjet në adresë të kryetarit të saj.

Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florion Serjani theksoi se bashkë me gjashtë kallëzimet e depozituara sot mbushen plot 40 raste shpifjesh ndaj Bashkisë së Tiranës, të denoncuara nga ajo, në pritje që të paditurit të paraqesin provat.

Duke iu referuar asaj që Bashkia e quan “përralla me lejet e ndërtimit”, zëdhënësi Serjani siguroi sakaq se Bashkia e kryeqytetit do t’i provojë opinionit publik se kjo përrallë është një sajesë e shpifur e pushtetit.

“Kur duhet të japin llogari për provat e korrupsionit të tyre, pushtetarët e korruptuar ia nisin menjëherë avazit të lejeve të ndërtimit”, nënvizoi Serjani.

Sipas tij, përralla me lejet e ndërtimit, ku kryebashkiaku Edi Rama cilësohet nga deputetët e PD-së, si “Zoti 20 përqindsh”, tregohet nga pushteti pikërisht sepse “ai nuk ka prova, por vetëm baltë me leje ndërtimi, në përpjekjen e dëshpëruar për të mos dhënë llogari për skandalet e korrupsionit të tij”.

mit/NOA

KOMENTE