English

“Edhe maqedonasit të mësojnë gjuhën shqipe”

Shkup, 24 gusht, NOA - Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi thotë se mësimi i maqedonishtes nga ana e nxënësve shqiptarë dhe anasjelltas nuk duhet të imponohet.

“Mësimi i maqedonishtes nga ana e nxënësve shqiptarë dhe anasjelltas nuk duhet të imponohet dhe kjo të arrihet përmes një strategjie ku do të jenë të përfshirë shumë faktorë. Integrimi nuk mund të realizohet vetëm në një kahje ku vetëm shqiptarët duhet ta mësojnë gjuhën maqedonase, por duhet të ndodhë edhe e kundërta pra maqedonasit ta mësojnë gjuhën shqipe” deklaroi Ademi.

Ademi tha se, në këtë proces duhet të përfshihen të gjithë faktorët duke filluar nga nxënësit, prindërit, shkollat, Komuna dhe Ministria e Arsimit.

“Ne do të arrijmë të realizojmë projekte të rëndësishme në procesin arsimorë ku pjesëtarë të një bashkësie etnike të mësojnë gjuhën e një bashkësie tjetër etnike, por kjo të mos të jetë e imponuar”, shtoi Ademi.

Qeveria e Maqedonisë me ndihmën e OSBE-së po kërkon mënyra për realizimin e strategjisë për arsim të integruar.

Pas dështimit të mësimit të maqedonishtes nga klasa e parë, tentativa e dytë është që nxënësit shqiptar dhe të bashkësive tjera etnike mësimin e maqedonishtes ta fillojnë nga klasa e dytë.

Jo zyrtarisht po shqyrtohet opsioni që maqedonishtja të mësohet nga klasa e dytë, por vetëm sa për tu njohur me këtë gjuhë, përmes lojërave, kurse mësimi të fillojë nga klasa e katërtë.

Përfaqësuesit e OSBE-së besojnë se projekti për mësimin e maqedonishtes nga klasa e dytë për nxënësit shqiptare mund të realizohet dhe se i njëjti sipas tyre, do të ishte në të mirë të shoqërisë.

“Këtyre ditëve jemi duke punuar intensivisht me ministrin e arsimit, sekretariatin për Marrëveshjen e Ohrit, partitë politike të bllokut shqiptar dhe maqedonas për realizimin e politikës e cila do të ndihmojë në përforcimin e sistemit arsimor”, deklaroi Ambasadori i OSBE në Shkup, Hoze Luis Herero.

Ai thekson se për integrim të suksesshëm gjithashtu është rëndësishme që edhe maqedonasit ti njohin gjuhët e komuniteteve tjera në Maqedoni.

NOA/INA

KOMENTE