English

Topalli, ekspozitë për Nënë Terezën në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 26 gusht, NOA – Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka bërë të mundur që në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës të hapë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ekspozitë me piktura portretesh të Nënës Terezë, të autorit Xhovalin Paci.

Hapja e ekspozitës është zhvilluar sot në Prishtinë dhe është përshëndetur nga dpeutetët e Kuvendit të Kosovës.

Në emër të kryetarit të Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, anëtari i Kryesisë, Ibrahim Gashi, tha se kjo ekspozitë shpreh një formë të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërkaq, iu bëri thirrje të gjithë të interesuarve, përfshirë edhe qytetarët, që ta vizitojnë atë gjatë ditës së sotme.

Autori i ekspozitës, Gjovalin Paci, theksoi se ideja për organizimin e saj daton që nga viti 2006, e mbartur nëpër kohë që nga vizita e Nënë Terezës në Shkodër në fillim të viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar.

Sipas Pacit, kjo ekspozitë, e punuar në teknikën e akrilikut, përbëhet nga disa cikle, të cilat e pasqyrojnë Nënën Terezë në jetën e saj fëmijërore, në momentet përpara lidhjes së saj shpirtërore me humanizmin, si humaniste dhe pas vdekjes.

Piktori Paci theksoi se ekziston ideja që e njëjta ekspozitë të hapet edhe nëpër qendra të tjera të rëndësishme rajonale e evropiane.

Përfaqësuesi i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Pjerin Kiri, ndërkaq, duke falënderuar stafin e Kuvendit të Kosovës për mbështetje, shfaqi besimin se kjo ekspozitë, edhe në Kuvendin e Kosovës do ta ketë suksesin që e ka arritur në Kuvendin e Shqipërisë.

a.k/NOA

KOMENTE